Policia e Elbasanit ka arrestuar Denis Hasallën, vëllain e deputetit socialist Saimir Hasalla, pas një kontrolli në banesën e tij, ku u sekuestruan 30 fishekë municion luftarak.
Kontrolli u krye me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, në kuadër të hetimeve për abuzimet me inceneratorin e Elbasanit dhe aktivitetin e kompanisë koncesionare “ECO-ELB”.
Sipas burimeve zyrtare, arrestimi u krye në bazë të një vendimi të Gjykatës, ndërsa mëngjesin e sotëm janë ushtruar 14 kontrolle në banesa të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve vendorë të përfshirë në skemën e dyshuar të shpërdorimit të fondeve publike.
Në fokus të hetimeve janë gjithashtu zëvendëskryetarë bashkish dhe drejtues të sektorëve juridikë e financiarë në bashkitë e qarkut Elbasan, të dyshuar për lidhje me pagesa fiktive dhe shërbime të pakryera për djegien e mbetjeve.
Hetimi pritet të thellohet dhe të çojë në masa sigurie për zyrtarë të tjerë në ditët në vijim. Arrestimi i Denis Hasallës shënon një tjetër pikë tensioni në çështjen e inceneratorëve, tashmë në fokus të drejtësisë dhe opinionit publik.