Ish ministri I brendshëm Mitko Çavkov së bashku me disa deputetë dhe funksionarë të ish pushtetit të VMRO-DPMNE, janë arrestuar sot në mëngjes me urdhër të Prokurorisë publike, njofton agjencia e lajmeve MIA. Përveç Çavkovit, policia ka shoqëruar edhe deputetët Kërsto Mukovski dhe Zhaklina Stefanovska, aktorin Vlado Jovanovski, Goran Angelov- Qosja nga Velesi dhe ish drejtorin e Fondit shëndetësorë, Sashe Stefanovski.
Çavkov dhe deputetët e VMRO-DPM dhe të arrestuesit e tjerë aktualisht gjenden në Gjykatën penale në Shkup, ku jane duke dhënë deklaratë para gjykatësit hetues. Kuptohet se të gjithë dyshohen për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, kur një turmë qytetarësh forcërisht hynë në godinën e Parlamentit në përpjekje për ta penguar zgjedhjen e kryetarit të ri, Talat Xhaferi.
Turma e dhunshme pati sulmuar fizikisht deputetët, ndërsa më keq e pësoi deputeti Zijadin Sela dhe disa deputetë të Lidhjes socialdemokrate, në mesin e tyre edhe vetë lideri, Zoran Zaev, i cili mori lëndime në kokë. Në këto ngjarje të dhunshme patën pësuar edhe dhjetra gazetarë, të cilët për disa orë ishin mbajtur si pengje nga protestuesit e dhunshëm.
Çavkov, i cili atë kohë drejtonte shtabin operativ të policisë për mbarvajtjen e procesit zgjedhor, ditën kritike për orë të tëra nuk kishte urdhëruar forcat e policisë të intervenojë për të mbrojtur jetët e deputetëve dhe të gazetarëve si dhe për të rivendosur rendin dhe qetësinë publike. Almakos