Tre spiunë të dyshimtë për Rusinë në Britani janë arrestuar si pjesë e një hetimi të gjerë për sigurinë kombëtare.
Të pandehurit, të gjithë shtetas të Bullgarisë, u kapën në shkurt dhe janë mbajtur në ndalim nga ajo periudhë, raporton televizioni BBC.
Dyshohet se këta tre persona ishin duke punuar për shërbimet ruse të sigurisë. Ata akuzohen për posedim të dokumenteve të identitetit me “synim jo të duhur” dhe dyshohet se i kanë mbajtur dokumentet me vetëdije se ato ishin të rreme.
Në mesin e dokumenteve përfshihen pasaporta, letërnjoftime e dokumente të tjera nga Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Franca, Italia, Spanja, Kroacia, Sllovenia, Greqia dhe Çekia.
Tre të pandehurit janë arrestuar sipas Aktit për Sekrete Zyrtare nga hetuesit kundër terrorizmit brenda Policisë Metropolitane, e cila ka përgjegjësi në nivel vendi për spiunazhin.
Të arrestuarit janë: Orlin Roussev, 45 vjeç, Bizer Dzhambazov, 41 vjeç dhe Katrin Ivanova, 31 vjeçe.
Këta tre persona kanë jetuar me vite në Britani, duke punuar në disa profesione. Roussev-i ka histori të marrëveshjeve biznesore në Rusi.
Tre të pandehurit pritet të dalin para gjyqit në Londër në janar.
Policia kundër terrorizmit ka folur publikisht për shtimin e sasisë së kohës që po kalohet për rreziqet e dyshimta shtetërore dhe spiunazhit, sidomos ato që lidhen me Rusinë.