Policia Kufitare ka arrestuar dy të rinj me shtetësi siriane, të cilët akuzohen për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit. Ata u kapën në flagrancë gjatë natës në fshatin Kapshticë, duke shoqëruar 8 emigrantë nga Egjipti dhe Algjeria, mes të cilëve 4 të mitur.
Sipas uniformave blu, qëllimi i grupit ishte kalimi ilegal i kufirit jeshil me Greqinë, për të vazhduar më pas drejt Malit të Zi dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Policia ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të emigrantëve.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Policia Kufitare intensifikon kontrollet dhe hetimet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina 1”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.
Organizonin dhe zhvillonin veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas sirianë.
Këta shtetas ndihmonin emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin jeshil me Greqinë, me qëllim kalimin në Mali të Zi dhe më pas në vendet e BE-së.
Shtetasit sirianë u kapën në flagrancë gjatë natës, në fshatin Kapshticë, duke shoqëruar 8 shtetas egjiptianë dhe algjerianë (4 prej tyre të mitur).
Nga hetimet e thelluara të kryera prej 2 muajsh rezulton se këta shtetas e kanë kryer disa herë këtë veprimtari kriminale, më parë, por emigrantët janë kapur nga shërbimet policore, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 1”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë:
- A., 25 vjeç, dhe T. E., 26 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë sirianë, ndihmon emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.