Arrestimi i efektivit të RENEA-s, zv.ministri: Ka elementë që bien pre e ndikimit të krimit, identifikimi tregoi që struktura funksionoi. Ja ç’po ndodh me vettingun në polici

Arrestimi i efektivit të RENEA-s, zv.ministri: Ka elementë që bien pre e ndikimit të krimit, identifikimi tregoi që struktura funksionoi. Ja ç’po ndodh me vettingun në polici

Zëvendës ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka komentuar në emisionin “Kjo javë” në News24 ngjarjet e fundit kriminale në vend, por edhe ka folur për objektivat e policisë dhe bashkëpunimet në rang ndërkombëtar.


Për vrasjen e 27-vjeçarit nga shoku i tij në rrugën “5 maji”, Lamallari tha se nuk ka ngarkesën e ngjarjeve të tjera si ajo e Elbasanit dhe se të tilla ngjarje ndodhin në çdo cep të botës.

“Nuk ka ngarkesën e ngjarjeve që sapo përmenda. Nuk do preferoja të nxitoja por nuk është një ngjarje që mund të kërkohet parandalimi pasi ndodhin në çdo vend të botës, në grindje të çastit, nga pakujdesia apo motive të tjera”, tha ai.

Sa i përket operacionit një ditë më parë që çoi në pranga një efektiv të forcave RENEA pasi u kap me 1 kg kokainë, zëvendës ministri theksoi se identifikimi dhe zbulimi i tij tregoi se struktuat e policisë apo Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat funksionoi.

“Edhe personi në fjalë ishte në monitorim nga SHÇBA. Fakti që ky punonjës u arrestua tregoi që strukturat përgjegjëse funksionuan. Si në çdo organizatë policore ka elementë që bien pre e ndikimit të krimit të organizuar, por ajo që është e rëndësishme është që strukturat përgjegjëse të funksionojnë. Identifikimi dhe zbulimi i këtij rasti tregoi që struktura funksionoi”, tha Lamallari.

Lidhur me vettingun në polici, zëvendës ministri deklaroi se nuk është pezulluar, por ka ndryshuar mekanizmi i mbarëvajtjes së këtij procesi. “U pa dhe u gjykua që ishte më eficente si në kursimin e kohës dhe energjisë njerëzore në fokusimin tek SHÇBA. Komisioni i Vlerësimit kalon në filtër SHÇBA e cila më pas do bëjë vlerësimin.
Për sa kohë kemi një vetting për gjyqtarët e prokurorët duhet domosdoshmërisht, ka një nevojë aktuale për filtrimin e kësaj trupe dhe për ta bërë të plotë procesin e pastrimit të trekëndëshit të drejtësisë penale.
Vettingu vijon, thjesht është rikanalizuar duke vënë në fokus ata që duhet të bëjnë vettingun dhe pas përfundimit të ligjit”, u shpreh ai.
Pyetjes nëse duhet policia të angazhohet për ndërtimet pa leje në një situatë të tillë me krimin në vend, ai iu përgjigj se ndërtimet pa leje janë vepër penale dhe policia është e angazhuar nga ligji. “Në fakt është për të ardhur keq që në Shqipëri kemi konsideruar shumë të rëndësishme vetëm veprat serioze, duke lënë mënjanë atë që lidhet me të mirën e përbashkët”, u shpreh Lamallari.