Nëna e Daut Lazes, i burgosuri i cili është arratisur nga burgu i Shënkollit mbrëmjen e së hënës (3 Shkurt), ka reaguar për mediat, duke deklaruar se nuk ka asnjë informacion për të birin.
E pyetur nga gazetarët nëse ka folur me Lazen, ajo ka mohuar të ketë pasur kontakte me të. Sipas saj, nëse do të kishte kontakt, do të kishte raportuar.
“Jam nëna. S’ka telefonuar. Nuk kemi asnjë haber fare, po të kisha do të thosha”, tha ajo.
Teksa i dënuari Daut Laze është ende në arrati, janë arrestuar tre gardianë të burgut të Shënkollit, të cilët ishin në shërbim në kohën kur 49 vjeçari arriti të largohet pa lënë gjurmë.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi 3 punonjësit e IEVP Shënkoll, pasi ndaj tyre është ngritur akuza e “Shpërdorim detyre”.
Raportohet se teksa ata ishin në shërbim, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre sipas ligjit, gjë që rezultoi në arratisjen e Daut Lazes.
Daut Laze, është arrestuar në vitin 2021, për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. Një vit më parë, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj 49 vjeçarit masën e sigurisë “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”.
Vijojnë kërkimet për 49 vjeçarin, i cili është konsideruar nga uniformat blu si një person me rrezikshmëri të lartë.
Sakaq, për çdo person i cili ofron informacion të vlefshëm për vendndodhjen e të arratisurit, Policia e Shtetit njoftoi se do të japë shpërblim në vlerë prej 10 mijë euro.