ANGEL DIMITROVI TË PREMTEN OPTIMIST, SOT: “KA RËNË ENTUZIAZMI”
Bashkëkryesuesi i Komisionit historik bullgar-maqedonas, Angel Dimitrov, të premten në Shkup ka vlerësuar se ka “hapa të vegjël përpara” në kërkimin e bazës së përbashkët për figura dhe ngjarje nga e kaluara për të cilët edhe Bullgaria, edhe Maqedonia e Veriut pohojnë se janë pjesë e historisë kombëtare. Sot në intervistë për televizionin bullgar BGNES thotë se takimi i fundit në fakt “e ka shuar entuziazmin”, duke shtuar se është diskutuar edhe për Kryepeshkopatën e Ohrit, paraardhëse historike e Kishës Ortodokse Maqedonase, që në Sofje interpretohet krejtësisht ndryshe.
Temë e re për të cilën opinioni, nga burime në Sofje, informohet se historianët nga Bullgaria dhe nga Maqedonia e Veriut kanë pozicione të ndryshme është Kryepeshkopata e Ohrit. Bashkëkryesuesi bullgar i Komisionit të përbashkët, Angel Dimitrov, në intervistë për BGNES vlerëson se në takimin e fundit në Shkup “deri diku ka rënë entuziazmi” për përparim në komision, duke e përmendur edhe këtë temë.
ANGEL DIMITROV, HISTORIAN, BULLGARI
“Për Kryepeshkopatën e Ohrit, si dhe për fundin e mbretërisë së parë bullgare dhe Car Samoilin, ka dokumente të mjaftueshme, dokumente të rëndësishme, të cilat sqarojnë si dhe pse duhet të organizohet ky institucion kishtar. Këtu ka filluar kthimi në një praktikë jo shumë të mirë nga ana e kolegëve tanë.”
Interpretimet për Kryepeshkopatën e Ohrit mund të bëhen pengesa e re në mes historianëve. Për momentin nga ekipi maqedonas dihet vetëm se dikutimi është i hapur, me këndvështrime të kundërta. Megjithatë, në intervistë për mediat vendase, historiani Petar Todorov thotë se ka përparim të paktën në komunikimin e ndërsjellë.
PETAR TODOROV, HISTORIAN, MAQEDONI E VERIUT
“Ne si historianë kemi filluar t’i vlerësojmë më shumë mendimet, se ekzistojnë mendime të ndryshme, këndvështrime të ndryshme për çështje të caktuara në të kaluarën. Sipas meje ky është moment shumë i mirë që mundëson si komision të themi se ka komunikim më të mire, që mundëson në të ardhmen ta mbyllim këtë pako të rekomandimeve për librat e klasës së gjashtë në Bullgari dhe të klasës së shtatë te ne, për mesjetën dhe dhe për periudhën e hershme osmane.”
Puna në Komisionin historik siç duket do të shkojë më ngadalë nga ajo që e dëshirojnë politikanët në të dyja anët e kufirit. Historianët, nga ana tjetër, insistojnë të jenë të lirë nga presioni politik, por edhe nga perceptimi se nga puna e tyre varet zhbllokimi i negociatave aderuese në mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Çështjet politike pritet që këtyre ditëve të jenë temë e diskutimit në mes shefave të diplomacive, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska./KlanMacedonia/



