Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilësoi si një “ditë të madhe për paqen botërore” marrëveshjen për armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iran, duke theksuar se kjo mund të shënojë fillimin e një faze të re stabiliteti në rajon.
“Një ditë e madhe për paqen botërore! Irani dëshiron që kjo të ndodhë… Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në rritjen e trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive dhe shumë para”, shkroi ai, duke shtuar se Teherani mund të nisë procesin e rindërtimit.
Trump u shpreh optimist se marrëveshja do të funksionojë, duke theksuar se SHBA do të monitorojë nga afër zhvillimet për të siguruar zbatimin e saj. Ai madje e cilësoi këtë moment si potencialisht “Epoka e Artë e Lindjes së Mesme”.
Ndërkohë, në një deklaratë për agjencinë AFP, presidenti amerikan sugjeroi se Kina ka luajtur një rol në nxitjen e Iranit për t’u ulur në tryezën e negociatave. Sipas tij, Pekini mund të ketë ndikuar në vendimin e Teheranit për të pranuar marrëveshjen e armëpushimit.
“Kjo është ajo që dua të them”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se ndikimi i Kinës ka qenë i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes mes Uashingtonit dhe Teheranit.


