2 March 2018 / 12:17
Ushtria ruse sot kumtoi se në Gutën Lindore, periferi e Damaskut, ka filluar armëpushim pesorësh. Mediat ruse, duke iu referuar deklaratës së një funksionari rus në qendrën për mbikëqyrje të ndërprerjes së zjarrit në Siri, lajmëruan se kjo është pauza e katërt humanitare në ditët e fundit.
Ushtria ruse mbrëmë i akuzoi kryengritësit sirianë se e granatojnë korridorin humanitar, i vendosur nga Moska dhe Qeveria siriane. Gjenerali Vlladimir Zollotuhin deklaroi se ekstremistët të cilët e kontrollojnë Gutën Lindore e granatojnë korridorin dhe e pengojnë evakuimin e popullsisë nga periferia lindore e Damaskut.
Rusia i akuzon kryengritësit se po e shkelin armëpushimin humanitar. Më parë, Rusia propozoi që në Gutën Lindore çdo ditë nga pesë orë( nga ora nëntë deri në orën 14 sipas kohës lokale) të ketë ndërprerje të zjarrit.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin urdhëroi ndërprerje të zjarrit në Gutën Lindore për shkak të formimit të “korridorit humanitar”, përmes të cilit civilët do të mund të largohen nga kjo zonë.
Nga ana tjetër, SHBA-ja vlerëson se propozimet ruse për korridoret humanitare për evakuim të njerëzve nga Guta Lindore janë “tallje”, sepse popullata frikësohet t’i shfrytëzojë për shkak të shërbimit ushtarak, ekzilit dhe vdekjes.
Sipas zëdhënëses së Stejt departamentit Heder Nojert, banorët frikësohen t’i shfrytëzojnë korridoret e tilla, sepse mund të thirren në shërbim të obligueshëm ushtarak në forcat e presidentit sirian Bashar al Asad dhe asnjëherë të mos kthehen në shtëpitë e tyre ose të vriten.
Këshilli i Sigurisë së KB-së para pak kohësh e miratoi Rezolutën 2401, sipas së cilës insistohet në armëpushim 30-ditor në gjithë Sirinë, me qëllim që të mundësohet qasje deri në ndihma humanitare dhe evakuim mjekësor


