Berat Gjimshiti ishte i padiskutueshëm si lider i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi në Europianin e Gjermanisë, por në krah të tij shumë syresh menduan se do të ishte Ardijan Ismajli e jo Arlind Ajeti, por këtë dilemë kush do të ishte në krah të Gjimshitit e zgjidhi vetë trajneri Silvinjo më 15 qershor, në duelin e parë në grup, atë ndaj Italisë, duke aktivizuar Arlind Ajetin, lojtar që ishte titullar në të tre takimet e luajtura nga Shqipëria në këtë Europian. Dhe 30-vjeçari vlerësohet se e arsyetoi besimin e Silvinjos. Ai u çmua për paraqitjet stabile në ndeshjet kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. “Në radhë të parë kam qenë shumë i lumtur për ftesën që pranova nga trajneri i kombëtares pas lëndimeve që kam pasur në klub. Normalisht çdo lojtar ka dëshirë të luajë. Nga dita e parë e grumbullimit kam shkuar për të dhënë gjithçka për kombëtaren tonë. Për formacion nuk kam menduar, sepse dihet që trajneri është ai që vendos. E imja ishte ta jepja maksimumin dhe atë kam bërë në të gjitha ndeshjet. Do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë”, tha Ajeti.
Dy Europianë për Ajetin
Mbrojtësi i Kluzhit rumun ishte prej pak lojtarëve që për herë të dytë ishte pjesë e Shqipërisë në Evropian. Në Evropianin 2016, të cilin Shqipëria e mbylli e treta në grup me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, ishin edhe Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Amir Abrashi dhe Naser Aliji. Berisha, Abrashi dhe Aliji nuk luajtën fare në Gjermani. Ajeti kishte luajtur dy ndeshje në “Euro 2016”. Në mungesë të ish-kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana, shkaku i suspendimit, Ajeti ishte paraqitur deri në minutën e 85-të përkrah Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes në ndeshjen ndaj Francës. Shqipëria e humbi 2:0 atë ndeshje. Luajti edhe në fitoren 1:0 ndaj Rumanisë në ndeshjen e fundit në grup. Ajeti thotë se ndjeu emocione të forta në Gjermani. “Edhe pse ishte hera e dytë, emocionet që i kam përjetuar që nga dita e parë e grumbullit deri në ndeshjen e fundit ndaj Spanjës kanë qenë të njëjta ashtu siç kanë qenë për herë të parë. Ishte speciale për mua. Për secilin lojtar paraqitja në ngjarje të mëdha është e veçantë. Jam shumë i lumtur që kisha rastin të luaja për herë të dytë në Evropian. Jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e këtij Evropiani. Befasi për mua kanë qenë tifozët tanë, të cilët në çdo ndeshje kanë qenë pranë nesh me atmosferë të mirë. Tifozët tanë kanë merituar shumë më tepër, por fatkeqësisht kemi qenë në grupin më të vështirë në Evropian dhe nuk arritëm ta kalojmë grupin”, nënvizoi ai.
Objektiv Botërori 2026
Ajeti thotë se nga përvoja në Gjermani kuqezinjtë do të përfitojnë shumë për të ardhmen. Ai pret të paraqitet me Shqipërinë edhe në Botërorin e vitit 2026. “Evropiani ka përfunduar, ndërsa tani na presin gara të tjera. Është ëndërr të marr pjesë me Kombëtaren e Shqipërisë në ngjarje të tilla. Me cilësinë e skuadrës që e kemi dhe e cila është duke u bërë edhe më e fortë me talente të reja që vijnë, besoj fuqishëm se mund të marrim pjesë edhe në Botëror”, shtoi ai. Ai lë të kuptohet se nuk e mendon pensionimin nga Kombëtarja.