Sibel Alimovska
Vizita surprizë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Manastir për Ditën e Alfabetit ishte më shumë një imazh për foto sesa një angazhim real për komunitetin. Ai mori pjesë në koncertin me këngë patriotike, duke krijuar një atmosferë festive për publikun, por qytetarët që jetojnë dhe punojnë këtu mbetën të injoruar.
Kryeministri nuk vizitoi Çarshin e Vjetër për të parë vështirësitë e përditshme të shqiptarëve, nuk u interesua për bizneset private që mbajnë ekonominë lokale, nuk vizitoi shkollat shqipe dhe as nuk pyeti për arsimtarët që përpiqen të ruajnë dijen dhe kulturën. Akoma më pak, nuk u kujdes të shëtiste nëpër Shirok Sokak për të vënë re mungesën e flamurit kosovar mbi përfaqësitë konsullore që, çuditërisht, u hap në Strugë. Kjo mungesë vëmendjeje ndaj realitetit të komunitetit tregon se vizita ishte më shumë për imazh dhe propagandë politike sesa për përkujdesje reale ndaj qytetarëve dhe trashëgimisë kulturore.
Shfaqja teatrale e planifikuar për mbrëmjen u anulua për shkak të këtyre ndërhyrjeve dhe riorganizimeve të paplanifikuara, duke lënë artistët dhe qytetarët të zhgënjyer. Festimet e Ditës së Alfabetit, që duhej të ishin një përkujtim i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare, u reduktuan në një ngjarje për sy e faqe, ku politika e mbuloi kulturën dhe komunitetin.
Qytetarët e Manastirit meritojnë respekt, vëmendje dhe angazhim të vërtetë për trashëgiminë dhe kulturën e tyre. Vizitat politike nuk duhet të përdoren vetëm për imazh dhe propagandë, por duhet të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv mbi jetën dhe zhvillimin e komunitetit. Trashëgimia dhe kultura nuk janë për foto ato janë themeli i së ardhmes dhe duhet të trajtohen me seriozitet dhe respekt të vazhdueshëm.


