Kryeministri Edi Rama e cilësoi ardhjen në Tiranë të presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, të stisur me propagandë, demagogji dhe retorikë absurde.
Në një konferencë për mediat me temë “Ekonomia në Fokus”, Rama u ndal tek një ndër kërkesat që Osmani shtroi në Parlament, heqja e traut në Rrugën e Kombit.
Kreu i qeverisë u shpreh se trau është bërë debat grotesk, se paraqitet si kufi, ndërkohë që nuk është aspak i tillë. Sipas Ramës, Osmani erdhi në Tiranë për të fituar vota në Kosovë, dhe kjo është arsyeja se përse “luajti me thikën nacional-folkloriko-vulgare”.
Kryeministri gjithashtu theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë problem me Kosovën, por është kjo e fundit që ka probleme me veten, teksa iu referua qasjes për Shengenin Rajonal.
****
Unë mund të them që sigurisht objektivi ynë ka qenë dhe mbetet “zero probleme fqinjët”. Por zero problemeve fqinjët nuk do të thotë fshehje e problemeve, por zerim. Nuk është se ne kemi probleme, nuk kemi asnjë problem me Kosovën. Për fat të keq Kosova ka probleme me veten dhe nëse mund të bëj një përkufizim, prej disa kohësh politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe ajo e jashtme është bërë e brendshme.
Kjo e ka rraskapitur Kosovën. Është një problem që e shoh me shumë shqetësim, e kam adresuar në mënyrë konstante në të gjitha bisedat e mia me udhëheqësit në Kosovë. Jam përpjekur edhe publikisht pa dashur të rëndoj askënd. Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit Rajonal, ku një nga shtyllat e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovë.
Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime të firmosë vullnetin e shtetit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë për Shengenin dhe një presidente në detyrë shfaqet në Shqipëri të bëjë politikë të brendshme me këtë. Akoma më groteske është debati për traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur për Kosovën.
Kjo është të bësh politikë me një çështje administrative me vendin fqinj, të vish në Tiranë, të bësh propagandë për të fituar vota në Kosovë. Ai tra atje nuk është kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse për zonjën Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria, ky tra është në mes të atdheut dhe duhet ta paguajnë të gjithë atdhetarët.