Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për herë të dytë brenda kësaj jave.
Kujtojmë se Arbër Veliaj u paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme edhe ditën e djeshme, 21 gusht, ku qëndroi për më shumë se pesë orë.
Ai u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen e Erion Veliajt, ndërsa në një prononcim shkurt para mediave, Arbër Veliaj tha se kishte “ardhur vullnetarisht të sqaroj pozicionin”.
“Erdha vullnetarisht për të shprehur bashkëpunimin tim me institucionin”, tha Arbër Veliaj një ditë më parë teksa largohej nga SPAK.
Kujtojme qe tre jave me parë Gjykata e Posaçme e Apelit rrezoi nje ankimim të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, i cili kundërshtonte kontrollet e SPAK që u kryen në dhjetor të 2024 në shtëpitë e tij dhe në ambientet e bizneseve.
Gjykata e Lartë, me një vendim të datës 25 Maj, pranoi rekursin e Arbër Veliaj dhe ktheu dosjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm tek i njëjti trup gjykues.
Por, togat e zeza vendosën mospranimin e ankimit të vëllait të kryebashkiakut kundër vendimit të datës 20 Dhjetor 2024 të Gjykatës së Posaçme për ushtrimin e kontrolleve.
Më 23 korrik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpall zyrtarisht i pandehur, nën akuzat për korrupsion, deklarim të rremë të pasurisë dhe pastrim parash. Bashkë me të, është përfshirë në hetime edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.
Që prej datës 10 shkurt të këtij viti, Veliaj ndodhet në paraburgim. Ai po hetohet në bashkëpunim me Ajola Xoxën dhe gjashtë sipërmarrës, ndër të cilët ndodhet edhe biznesmeni Elman Abule, i cili aktualisht është nën masën e arrestit shtëpiak.