Nuk e di, nuk e kam idenë. Kështu i është përgjigjur nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, në një intervistë për “360 Gradë” në RTM 1, pyetjes – a e di se ku është ish-zëvendëskryeministri i parë dhe zyrtari i lartë i BDI-së, Artan Grubi, transmeton Portalb.mk.
Ademi u përgjigj gjithashtu se nuk e di nëse Grubi do të kthehet në vend dhe i pyetur nëse duhet të kthehet, ai tha:
“Mendoj se të gjithë duhet të përballen me drejtësinë. Mendoj se ka pasur një gjueti politike dhe arrestimi i tij është shpallur shumë muaj përpara. Edhe para formimit të Qeverisë. I keni deklaratat publike të politikanëve se “kur të vijmë ne në pushtet do ta arrestojmë etj.”
I pyetur nëse e konsideron përndjekje futjen në listën e zezë të Artan Grubit nga Shtetet e Bashkuara (SHBA), Ademi është përgjigjur se kjo është një çështje tjetër.
“Ne e respektojmë këtë si BDI. Ata janë partnerët tanë strategjikë. Por a ka persona të tjerë në listën e zezë? Ka. A janë në burg? Nuk janë. Kaq mjafton”, tha Ademi.
Kujtojmë se , më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi paraprakisht ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Pas këtyre zhvillimeve ai u tërhoq nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.