Bashkëpunimi mes organizatave kriminale alarmon hetimin special të Shqipërisë dhe të Italisë. Kjo ka bërë që shefi i SPAK-ut të takohet në Bari me drejtues të kësaj njësie hetimore ku mësohet se është diskutuar ndër të tjera edhe për operacionet e përbashkëta mes tyre kundër krimit të organizuar.
Sipas të dhënave, bëhet me dije se përveç të dhënave mbi bashkëpunimin mes elementëve kriminal të rëndësishëm të dy vendeve, është folur edhe për fuqizimin e grupeve mafioz edhe në Gjermani, Spanjë dhe në Amerikën e Jugut.
Madje Kraja mësohet se është ndaluar konkretisht tek kjo shtrirje për të theksuar faktin se vrasjet importohen në Shqipëri nga grupet që punojnë dhe operojnë atje. Po ashtu, bëhet me dije se kreu i Prokurorisë Speciale ka folur edhe për një rast të identifikuar një vit më parë ku u mor sinjali se një sasi e madhe parash ishte nisur nga Zvicra nga një biznesmen nafte. Në këtë transfertë, sipas Krajës, kishin pasur një rol të rëndësishëm edhe shtetas italianë në bashkëpunim me shqiptarët.
TAKIMI
Sipas të dhënave zyrtare bëhet me dije se në një aktivitet për luftën 30-vjeçare kundër mafies, që është organizuar në Bari, ka marrë pjesë edhe kreu i SPAK-ut, Arben Kraja. Në fjalën e tij ai është përqendruar tek aktivitetit i grupeve kriminale shqiptare si dhe te paratë e pista që hyjnë në shumëllojshmëri rrugësh në vendin tonë. Ai i ka vënë në dijeni të bashkëpunimit të SPAK jo vetëm me Antimafien, por edhe me strukturat hetimore në Gjermani dhe Spanjë, duke treguar se krimi shqiptar është shtrirë deri në Amerikën e Jugut.
“Krimi shqiptar është i shtrirë jo vetëm në Evropë, por deri në Amerikën e Jugut. Kemi vendosur kontakte me gjithë homologët në rajon dhe më gjerë. Kemi 10 skuadra të përbashkëta hetimore me Italinë. Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, tregoi para prokurorëve italianë edhe rastin e hetimit të tentativës për të pastruar 18 milionë euro ku i përfshirë në Shqipëri rezultoi biznesmeni Rezart Taçi, i cili vijon të jetë në arrati. “Morëm një informacion për një transfertë parash nga Zvicra në Shqipëri nga një shtetas italian në korrik të vitit të kaluar. Pasi bëmë verifikime rezultoi se ishte një person i përfshirë në krimin e organizuar dhe mafien italiane. Pasi shkëmbyem informacionin me kolegët italianë nisen dy hetime, një në Palermo dhe një në SPAK. Pas 3 muajsh hetime, në një ditë 3 persona u arrestuan në Itali dhe 3 në Shqipëri për pastrim parash në kuadër të grupit kriminal. Sekuestruam 18 milionë euro në një bankë në Shqipëri që ishin të ardhura nga aktiviteti kriminal i mafies siciliane”, tha ndër të tjera Kraja.



