Arabia Saudite ka konsoliduar pozicionin e saj në rritje në arenën e çështjeve globale, duke u shfaqur si një pikë kyçe për bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë për një sërë çështjesh, përfshirë rishikimin e marrëdhënieve të tyre dypalëshe dhe përfundimisht arritjen e një marrëveshjeje për ndalimin e luftës në Ukrainë.
Përfaqësues nga administratat amerikane dhe ruse, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marko Rubio, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, u mblodhën në Riad më 18 shkurt për të rënë dakord mbi rihapjen e ambasadave në kryeqytetet përkatëse, fillimin e përgatitjeve për një takim të mundshëm midis Presidentit Trump dhe Presidentit Putin, si dhe për të shkuar drejt një marrëveshjeje që do të ndalte luftën në Ukrainë.
Angazhimi për të pritur këto bisedime dhe për të maksimizuar përpjekjet për suksesin e tyre vjen drejtpërdrejt nga familja mbretërore. Teksa nisi raundi i bisedimeve SHBA-Rusi, Agjencia Saudite e Lajmeve njoftoi se “me udhëzimet” e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, bisedimet midis Rusisë dhe SHBA-së po zhvillohen në Riad si “pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të mbretërisë për të promovuar sigurinë dhe paqen globale”.
Dr. Albert Rakipi, Kryetar i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS), thekson rëndësinë specifike të Mbretërisë së Arabisë Saudite përtej rolit të saj si ndërmjetëse. “Në shikim të parë, disa mund të argumentojnë se Arabia Saudite thjesht ofron një vend , venue, ndërkombëtar për negociatat diplomatike të nivelit të lartë midis fuqive të mëdha mbi çështjet më kritike të sigurisë dhe paqes ndërkombëtare. Megjithatë, në thelb, Arabia Saudite po shfaqet si një lider që synon të kontribuojë në adresimin e sfidave më problematike të sigurisë dhe paqes globale, si agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe konflikti në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite po tregon gjithnjë e më shumë vullnetin dhe aftësinë për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e këtyre dy konflikteve,” – komentoi Rakipi për Tirana Times.
Arabia Saudite ka pasur një rol aktiv gjatë luftës në Ukrainë, duke ofruar disa herë veten si vend të përshtatshëm për negociata si dhe duke bërë thirrje për paqe në nivelet më të larta të organizatave ndërkombëtare.
Që në vitin 2016, Arabia Saudite ishte vendi i parë që Presidenti Trump vizitoi gjatë mandatit të tij të parë. Ai ka vazhduar të lavdërojë shpesh Mbretërinë dhe udhëheqësit e saj për vizionin dhe kontributin e tyre në stabilitetin rajonal dhe paqen e përgjithshme.
Duke u perceptuar si një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm për të gjithë aktorët ndërkombëtarë, veçanërisht ata që gjenden në anë të kundërta, Arabia Saudite është pozicionuar në një mënyrë shumë të favorshme për të lehtësuar disa nga diskutimet më sfiduese midis lojtarëve globalë dhe për të lënë gjurmë në të ardhmen e politikës së jashtme.
Mbretëria e Arabisë Saudite luan një rol kyç në situatën në Lindjen e Mesme dhe me shumë gjasa do të konsultohet si e tillë në proceset e ardhshme të marrjes së vendimeve për rajonin, madje edhe përtej marrëveshjes aktuale të brishtë të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
Veçanërisht i rëndësishëm do të jetë ringjallja e përpjekjeve për të zgjeruar Marrëveshjet e Abrahamit – një arritje e madhe diplomatike – për të përfshirë edhe marrëdhëniet midis Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Izraelit, diçka që është thelbësore në agjendën e presidentit Trump dhe që ai vetë e përmendi për gazetarët në Ditën e Inaugurimit në janar të këtij viti. Pjesëmarrja e mundshme e Arabisë Saudite në Marrëveshjet e Abrahamit ka potencialin të kontribuojë në paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme.