Opozita shqiptare, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët akuzojnë Bashkimin Demokratik për Integrim për vjedhjen e fitores në Çair duke shpallur votat për kandidatin e tyre Zeqirija Ibrahimi si të pavlefshme. Sipas opozitës këtë tezë e vërteton edhe vet rezultati përfundimtar pas numërimit të votave në rrethin e dytë në Komunën e Çairit. Numri i votave të pavlefshme në Çair, është 1.100 ose pesëfishë më i madh sesa diferenca mes Ganiut dhe Ibrahimit, shkruan Alamkos.
“Arsyeja kryesore është numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme, ne kemi dyshime serioze se manipulimi është bërë pikërisht në këto fletëvotime. Prandaj shumica e ankesave kanë të bëjnë me këtë pjesë”, tha Faton Fazliu, zëdhënës I Lëvizjes BESA, për Almakos.
Ai, nuk heziton të konstatoj se procesi zgjedhor në Komunën e Çairit mund të ketë qenë çfarëdo qoftë vetëm demokratik nuk ka qenë.
“Ne si Lëvizje BESA i bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që t’i rishqyrtojë këto ankesa dhe të vendosë në mënyrë të paanshme në favor të drejtësisë”, deklaroi Fazliu.
Fazliu thotë se ata, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve kanë dorëzuar 86 ankesa për procesin zgjedhor në Komunën e Çairit.
Nga ana tjetër, Naim Bajrami zëdhënës i shtabit qendror pranë Aleancës për Shqiptarët në deklaratën e tij për Almakos pohon se ditën e votimit në qytetin e Strugës ka pasur shkelje te rënda të procesit demokratik.
“Ka pasur shumë shkelje, duke filluar nga presioni dhe shantazhi që u bëhej votuesve jashtë vend-votimeve deri tek manipulimet brenda ne vendvotime”, tha Bajrami.
Bajrami thotë se në Strugë diferencën jo reale e ka krijuar përdorimi i “Trenit Bullgar”.
“Besojmë dhe jemi të bindur që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do ti merr parasysh këto parregullsi dhe në ato vendvotime do te rivotohet”, përfundoi Bajrami.
Në KSHZ Aleanca për Shqiptarët dërgoi 13 ankesa për Strugën. Kurse, Lëvizja BESA dërgoi 89 ankesa, prej të cilave 86 janë për zgjedhjet në Çair, të dërguara bashkërisht me Aleancën për Shqiptarët dhe tre ankesa për Tetovën.
Përndryshe “Treni Bullgar” është metodë e votimit ku blerësit e votave mund të kamuflojnë më lehtë me votuesit, ata atyre u japin fletën e rrethuar për partinë e caktuar dhe u kërkojnë që të njëjtëve tu kthehet fletë e zbrazur nga vendvotimi.
Almakos.com
Mevludin Imeri