Gazetare: Fatlume Dervishi
Inspektorati i Arsimit nuk konfirmon nëse ka kryer inspektimin e jashtëzakonshëm në Universitetin “Shën Kirilli dhe Metodi”, ashtu siç njoftoi një ditë më parë, për të vërtetuar nëse ka shkelje ligjore në kushtet e caktuara nga universiteti për aplikimin e studentëve të rinj. Studentëve u kërkohet të firmosin deklaratë me përgjegjësi morale dhe penale se nuk do të aplikojnë paralelisht në asnjërin nga universitetet tjera të vendit. E dyta, atyre u kërkohet të firmosin pajtueshmëri që nuk do t’i kërkojnë dokumentet origjinale që dorëzojnë gjatë aplikimit për të paktën tre muaj.
Nga Inspektorati i arsimit një ditë më parë thanë se këto kërkesa nuk janë paraparë në Ligjin për arsim të lartë dhe se sot inspektorët do ta shqyrtonin rastin. Por sot nuk morëm përgjigje në pyetjet tona. Ndërkohë në Universitetin “Shën Kirilli dhe Metodi” janë ditët e hapura dhe studentët e interesuar ishin para stendave të fakulteteve. Nëpunësit me të cilët biseduam nuk kishin njohuri për ndonjë inspektim të mundshëm. Ata thanë për Alsat se këto kushte gjatë aplikimit janë prej të paktën disa vitesh. Përgjigje zyrtare nuk kemi marrë akoma.
“Në Universitetin “Shën Kirilli dhe Metodi”, Alsat sot tentoi që të marrë përgjigje në rektorat për shqetësimet të cilat janë ngritur deri në adresë të Alsat. Nga shërbimet na thanë që as Rektori dhe as prorektorët nuk janë këtu për të dhënë sqarime ose deklaratë për mediat megjithatë na premtuan se do të përgjigjen në e-mailin me pyetjet të cilat i kemi nisur një ditë më parë. Deri në këto momenti nuk kemi përgjigje dhe asnjë sqarim”, raporton Fatlume Dervishi, gazetare.
Në nenin 27 të Ligjit për Arsim të lartë thuhet se: Studenti ka të drejtë të studiojë në të njëjtën kohë në më shumë programe studimore të specializimeve të ndryshme dhe të mësojë kurse të ndryshme./Alsat.mk