Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka rrëzuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë, e cila më 10 shkurt 2025 kishte shpallur fajtorë katër të pandehur për vrasjen e Martin Çeços dhe kishte dhënë në total 83 vite burg, duke iu përmbajtur kërkesës së Prokurorisë.
Trupa gjykuese e Apelit, e përbërë nga relatorja Marsela Pepi dhe anëtarët Genti Dokollari dhe Irena Brahimi, vendosi më 24 qershor 2025 që të prishë vendimin dhe të kthejë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Korçës, por me një trupë tjetër gjykuese.
Në vendim theksohet se palët kanë të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga dita pasardhëse e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Nga ana tjetër, babai i viktimës, Martin Çeço, është shprehur dakord me vendimin e Apelit për rikthimin e çështjes në rigjykim, duke theksuar se kërkon drejtësi të plotë për djalin e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 12 qershor 2022, kur trupi i Martin Çeços u gjet në një rezervuar në fshatin Kolanec të Maliqit. Sipas hetimeve, viktima dyshohet se u vra me paramendim nga të akuzuarit, ndërsa Prokuroria e Korçës kërkoi dënimin e tyre me bazë në akuzën për “Vrasje me paramendim”.
Dënimet e Gjykatës:
* Valter Mollaj: 25 vjet burg
* Edlir Mollaj: 23 vjet burg
* Martina Pajollari: 20 vjet burg
* Blendi Angjo: 15 vjet burg