Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke lënë Veliajn në burg. Kreu i bashkisë së Tiranës kishte ofruar garanci pasurore në përpjekje për të zbutur masën aktuale “arrest me burg”.
Mbrojtja e kryebashkiakut iu drejtua Apelit të Posaçëm për të ndryshuar masën e sigurisë me argumentin se situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, çka sipas tyre përjashton rrezikun e prishjes apo manipulimit të tyre.
Kujtojmë që kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij, SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumicën e akuzave e përbën korrupsioni pasiv i kryer sipas SPAK në 9 raste. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më datë 24.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 68 akti, datë 17.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.V:
“Ankim kundër vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, me një masë sigurimi më të butë si “Garancia pasurore”, parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale ose “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”, si vijon:
– Miratimin e vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


