Besoj në urtësinë e qytetarëve të Maqedonisë dhe jam i bindur se ata do të dinë ta sjellin vendimin e vërtetë në referendumin e ardhshëm, tha zëvendës-sekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Euroazi Matthew Palmer në takimin e sotëm me zëvendës-ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Andrej Zhernovski në Dubrovnik.
Palmer dhe Zhernovski kishin takim në margjinat e konferencës ndërkombëtare “Dubrovnik forum” në të cilin, siç kumtoi MPJ, i përbashkët ka qenë përfundimi se referendumi është ngjarje historike në të cilin qytetarët tërësisht duhet të përfshihen.
Zhernovski kishte takim edhe me shefin e diplomacisë greke Nikos Kocias. Janë këmbyer mendime për ngjarjet aktuale në të dy vendet.
“Të dy bashkëbiseduesit ishin pajtuar se besimi mes të dy palëve thellohet. Ishte potencuar se me marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së emrit u erdh fundi dallimeve të cilat i vështirësojnë marrëdhëniet miqësore mes fqinjve”, njoftojnë nga MPJ-ja e Maqedonisë.
Kjo marrëveshje, ka vlerësuar Zhernovski, është urë e cila nga e kaluara na çon drejt të ardhmes.
Në margjinat e Forumit, zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme realizoi takime të ndara bilaterale edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Ekaterina Zaharieva, me të dërguarin e lartë special të presidentit Makron Alen Rishar, si dhe me homologun e tij çek Tomas Petriçek.

