Rasti “Fortesa 2” u anulua për shkak se i akuzuari kryesor, Goran Grujovski ka angazhuar avokat të ri. Lupço Shvrgovski është avokati, i cili tani e tutje do ta mbrojë ish drejtorin e Drejtorisë së Pestë të DSK-së dhe pasi që sapo e ka marrë lëndën në duar, kërkoi më shumë kohë për t’u njoftuar me detajet e akuzës dhe gjykimit të deritanishëm. Por, Shvërgovski paraqitet si avokat edhe i Sasho Mijallkovit. Ish kryeprokurori Shvërgovski nuk tregoi nëse edhe të akuzuar të tjerë në rastet e Prokurorisë Speciale kanë treguar interes që ai t’i mbrojë në gjykatë.
Në sallën e gjykatës sot ishin edhe gjashtë femra të punësuara në arkivin e Drejtorisë së Pestë të DSK-së, por edhe dy dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria Speciale. Gjithësej janë ftuar katër dëshmitarë që do të dëshmojnë në seancën e ardhshme të paracaktuar për më 26 shtator.
Të punësuarit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim akuzohen për shkatërrimin e dkumentacionit dhe për falsifikimin e dokumenteve zyrtare në të cilat figuronin të dhënat për përgjimin e paligjshëm dhe shkatërrimin e pajisjeve me të cilat është bërë përgjimi. Së fundi, për Goran Grujovskin, Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim, por Gjykata Penale vlerësoi se mjafton vetëm t’i merret pasaporta.
Ferikan Iljazi – Arifi /SHENJA/

