07 April
Pavarësisht paralajmërimeve për koordinim mes partive në Kuvend për zhbllokimin e punimeve, një gjë e tillë sot nuk ndodhi. Heshtje në VMRO dhe LSDM. Jo zyrtarisht mësohet se temë e mbledhjeve koordinative ishte paraparë të jetë edhe çështja e konflikteve verbale mes deputetëve. Pavarësisht se nuk kishte seancë, dy partitë përplasjet i vazhduan nga selitë e tyre. Partia e Zoran Zaev akuzon VMRO-DPMNE-në dhe presidentin Gjorge Ivanov për cenim të interesave shtetërore. Nga ana tjetër, partia e Gruevskit akuzon LSDM-në se me iniciativën e saj për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, po tenton të bëj grusht shtet. Ekspertët Kushtetues konsiderojnë se iniciativa e LSDM-së është e paraparë në rregulloren e Kuvendit. Temelko Ristevski pohon se shumicës së re një iniciativë të tillë ua garanton edhe Kushtetuta.
Rregullorja mundon që një deputet, me mbështetjen e 10 deputetëve tjerë të propozojë ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend, në rastin konkret të ndryshohet rendi dhe të zgjidhet kryetari Parlamentit. Megjithatë ka një pikë kufizuese në nenin 79 në rregullores së Kuvendit në të cilin thuhet që të mund të debatohet për rendin e ditës dhe ndryshimin e tij duhet edhe qëndrimi i Komisionit për zgjedhje dhe emërime i cili në këtë rast ende nuk është i zgjedhur – deklaroi eksperti juridik – Temelko Ristevski.
Albert Musliu thotë se shumica e re nuk guxon më tepër t’i plotësojë dëshirat e VMRO-DPMNE-së. Ai madje vlerëson se LSDM-ja duhet të jetë më e kategorike në qëndrimet e saja.
Kjo lojë që e bën VMRO-DPMNE duhet të tejkalohet pasi tashmë e gjithë shoqëria jemi bërë peng i tyre. Nëse ne ia plotësojmë të gjitha dëshirat, problemet vetëm sa do të zgjerohen. Mund të ngrihet tensione në popullatë dhe të shkaktoje edhe më tepër probleme ndaj pushtetit lokal i cili tashmë funksionon me afat të skaduar. Unë mendoj se shumica është pak e turpëruar. Duhet të merren hapa më konkret dhe koordinimi duhet të jetë edhe më i mirë e posaçërisht me subjektet politike shqiptare – tha analisti Albert Musli.
Tensionet mes deputetëve në seancën konstituive u rritën pas kërkesës së LSDM-së që nëpërmjet 10 deputetëve të kërkojnë ndërprerjen e pikës së tretë për të cilën janë paraqitur 57 deputet dhe për të vazhduar me pikën tjetër zgjedhjen e kreut të Kuvendit. Kjo gjë u kundërshtua ashpër nga VMRO DPMBNE-ja duke e cilësuar si tentim për grushtet.
Adrian Kerimi