Nafie Selmani
Anketat e publikuara së fundmi kanë shkaktuar jo pak turbullira brenda radhëve të koalicionit VLEN, i përbërë nga tre parti politike dhe koordinatori-deputeti, Bekim Qoku, i kontrabanduar nga Lëvizja Vetëvendosje pa asnjë strukturë vendore dhe pa asnjë mbështetje reale në terren. Rezultatet e anketave ishin zhgënjyese, për të mos thënë alarmante, për aktorët që pretendojnë të përfaqësojnë alternativën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Reagimet e menjëhershme me tone nervozizimi nga anëtarët e VLEN-it ishte karakteristikë për ata që nuk kanë çfarë të ofrojnë përveç reflekseve të vjetra propagandistike. Të gjitha kanalet e tyre u vunë në funksion për t’i relativizuar, mohuar e madje për t’i diskredituar sondazhet, me retorikën e zakonshme: “janë të porositura”, “nuk janë të sakta”, “nuk reflektojnë realitetin”. Por, asnjë propagandë, sado e zhurmshme, nuk mund të mbulojë një të vërtetë themelore: qytetarët tashmë e kanë kuptuar se premtimi për “NDRYSHIM” ka mbetur thjesht një slogan bosh pa përmbajtje, pa vizion dhe, më së shumti, pa njerëz që ta mishërojnë.
Anketat në fjalë, përveçse matje e tendencave politike të tanishme, shpërfaqën edhe një të vërtetë tjetër të rëndësishme, një të vërtetë që për shumëkënd ishte e njohur, por jo e artikuluar: Arben Taravari me profilin e tij prej intelektuali të qëndrueshëm dhe zëri të qartë politik, paska qenë shtylla morale-politike dhe imazhi i besueshëm i koalicionit VLEN. Sa kohë që ai ishte pjesë e tij, VLEN mbante një peshë dhe seriozitet, që sot, pas largimit të tij, anketat thonë se VLEN është përgjysmuar jo vetëm numerikisht, por edhe simbolikisht.
Anketat treguan se VLEN tani përballet me realitetin e mungesës së besimit nga qytetarët. Ato treguan qartë: ky besim nuk mund të fitohet më as me mimikri politike, as me aleanca të paqarta, e as me kandidatura artificiale që i shiten publikut si “të pavarura”.
VLEN-i, që para një viti synonte të paraqitej si bartës i një alternative të re shqiptare, një NDRYSHIM i shumëpritur, sot gjendet përballë krizës së besimit publik.
Në thelb, ajo që ndodhi me VLEN-in pas publikimit të anketave është një provë klasike e mungesës së elasticitetit politik, paaftësia për të lexuar sinjalet e realitetit dhe mungesa e guximit për të bërë korrigjime thelbësore. Në vend të një reflektimi strategjik mbi përmbajtjen politike, pamë rikthim në modelet e konsumuara të viktimizimit dhe sulmeve ndaj “kundërshtarëve imagjinarë”.
Mungesa e kohezionit në VLEN është evidente. Nëse i ndjekim me kujdes deklaratat e kundërta të kryetarëve të VLEN-it lidhur me kandidatët e mundshëm, bëhet e qartë përplasja e brendshme. Kjo ndasi e brendshme paralajmëron pasoja të pashmangshme në ditën e zgjedhjeve, ku elektorati kërkon qartësi, jo konfuzion!
Në fund të ditës, nëse një subjekt politik e sheh anketën si kërcënim dhe jo si mundësi për të reflektuar dhe përmirësuar, atëherë kriza nuk është e jashtme, është thellësisht e brendshme.