Ekonomia e Maqedonisë nuk do të mbetet imune dhe sigurisht do të ndjejë pasojat e krizës ruso-ukrainase. Ne presim një ngadalësim të rritjes ekonomike, si dhe një përshpejtim të inflacionit, tha në deklaratë për HTV guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angellovska-Bezhoska, e cila po merr pjesë në takimin e dhjetë rajonal të guvernatorëve të bankave qendrore, që mbahet në Rovinj, Kroaci.
Në mbledhjen e sivjetme temat janë rimëkëmbja ekonomike në kontekst të konfliktit në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, pasiguria dhe sektori financiar, inflacioni dhe politika monetare.
Guvernatorja theksoi se njësoj si vendet e tjera në rajon, lidhjet direkte tregtare dhe financiare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Rusinë dhe Ukrainën janë të dobëta dhe se konflikti do të ndikojë në ekonominë e Maqedonisë përmes kanaleve të tjera. Ajo përmendi se tregtia me këto dy vende është më pak se 2 për qind e totalit të tregtisë, dhe pjesa e investimeve të huaja direkte nga Rusia dhe Ukraina është gjithashtu shumë e ulët, ose 0,5 për qind e totalit të investimeve të huaja direkte në vitin 2020.
“Megjithatë, ndikimet indirekte, nëpërmjet ekonomisë globale, por mbi të gjitha evropiane në vendet e rajonit nuk do të mungojnë. Ato do të ndjehen përmes katër kanaleve kryesore – tregtisë, çmimit të produkteve primare, shtrëngimit të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe besimit të konsumatorëve”, tha Angellovska-Bezhoska.
Ajo theksoi se FMN kishte parashikuar që tregtia globale do të rritej, por me një ritëm më të ngadaltë – 5%, çmimet e lëndëve të para janë ende në rritje që nga fillimi i vitit, normat e interesit në tregjet financiare ndërkombëtare janë rritur dhe pasiguria mund t’i ngadalësojë investimet dhe konsumin. Megjithatë, shtoi ajo, institucionet financiare ndërkombëtare aktualisht presin që ekonomitë të rriten, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë, dhe se inflacioni në gjysmën e dytë të vitit të stabilizohet gradualisht.
Guvernatorja theksoi se politika monetare dhe ajo fiskale janë sërish në lëvizje – politika monetare synon ruajtjen e stabilitetit, ndërsa ajo fiskale përmes masave mbështetëse për të zbutur efektet në aktivitetin ekonomik në afat të shkurtër.
“Në afat të mesëm dhe afatgjatë është e nevojshme të zbatohet agjenda e reformave strukturore, e cila është e vetmja mënyrë për të arritur efekte afatgjate”, shtoi Angellovska-Bezhovska.