https://www.facebook.com/Almakos1/videos/1944149428959233/
Antarët e KSHZ edhe pse të revoltuar, me 9 vota “ pro” dhe asnjë “ Kundër” në seancë publike votuan që t’i kthejnë shpërblimet e marra për zbatimin e zgjedhjeve, sepse nuk duan të shihen si të korruptuar, pavarësisht se të njejta janë ligjore. Çdonjëri prej tyre individualisht do të vendosin nëse paratë do t’i kthejë në buxhetin e Maqedonisë apo do t’i donojnë
Gjatë debatit anëtarët e shfaqën hapur revoltën e tyre për këtë, siç thanë, paragjykim të opinionit publik, duke thënë se shpërblimet kanë qenë të merituara pasi çdonjëri prej tyre e ka ditur kur i fillon orari i punës, por jo edhe kur i përfundon, njofton Almakos.
Nënkryetari i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca, tha se përderisa nuk janë korruptuar në vitin 2016 kur siç tha “ kishte shumë më tepër para”, nuk do ta bënin diçka të tillë tani.
“ E pyes publikun që është aq kritik, a do të punonin jashtë orarit të punës, gjatë fundjavave dhe gjatë festive në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur jeta rrezikohet.Unë me përgjegjësi them se shpërblimet janë plotësisht të merituara” tha Rexhep Prekopuca.
Kolegu i tij nga VMRO-DPMNE Sasho Srcev, tha se për të është i habitshëm fakti që këtij komisionit iu drejtua gishti për ta cilësuar si të korruptuar.
“ Nga ne mvaret se a do t’i kthejmë shpërblimet. Unë vendos që t’I kthej. Jam I gatshëm edhe të jap dorëheqje nëse rezulton se kemi vepruar jashtë ligjit. Megjithatë ne me këtë seancë duhet të jemi shembull edhe për institucionet tjera”- tha Sasho Srcev.
Anëtari i KSHZ-së Atanas Urumov, kërkoi të mos bëhen diferencime, pra nëse ligji për pagimin e orëve shtesë vlen për të punësuarit tjerë në Maqedoni, i njejti duhet të vlejë edhe për anëtarët e KSHZ, kur punojnë nga 20 apo 24 orë.
“Nuk janë para keqpërdorimi, nuk është dëmtuar buxheti, por para të cilat kanë ardhur për shkak të angazhimit.Është ligjore. E them që më duhen ato para, edhe unë si të tjerët punoj edhe unë kam familje dhe dy fëmijë të mitur, por prap se prap do t’i kthej” – tha Urumov.
Gjithashtu, Violeta Duma dhe Igor Milev si dhe Subhi Jakupi dhe kryetari i këtij komisioni, Aleksandar Çiçakovski, thanë se shpërblimet do t’i kthejnë. Ky i fundit pranoi se ka pasur lëshime sa i takon transparencës, por se kjo do të korigjohet. Nga KSHZ njoftuan se shpërblimi është bërë në bazë të nenit 19 të Kodit Zgjedhor, i përcaktuar nga një akt i miratuar dhe që nga viti 2014 vlen për anëtarët e Komisionit.
Lajmi erdhi në vëmendje të opinionit pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Xhes Bejli, i cili tha se KSHZ për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të fundit është shpërblyer më 9 rroga shtesë.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montazh: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski