Alsat 2020-02-11T14:05:14+01:00
Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike u miratua unanimisht në komisionin amë, atë për punë të jashtme. Zv/ministri i jashtëm, Andrej Zhernovski theksoi se me anëtarësimin në NATO vendi do ta realizojë një nga qëllimet strategjike që nga pavarësia.
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është garanci për sigurinë kombëtare të vendit, parakusht themelor për progres të mëtejshëm të qytetarëve, në përputhje me vlerat themelore të parashikuara me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Me anëtarësimin në NATO, në mënyrë aktive do të kontribuojmë për sigurinë tonë kombëtare, sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë NATO-s – tha Andrej Zhernovski, Zv/ministër i Jashtëm.
Zoran Dabiq i cili një kohë të gjatë ka qenë ambasador në NATO vlerësoi pozitivisht vendimin për nënshkrim të parakohshëm të Marrëveshjes në mënyrë që të mos bllokohet anëtarësimi i vendit në NATO për shkak të shpërbërjes së Kuvendit për zgjedhjet e prillit.
Kur Spanja ta përfundojë ratifikimin e Protokollit, të njëjtën do ta dorëzojë në Departamentin amerikan të Shtetit. DASH është depozitor i Marrëveshjes së Uashingtonit. Kur ajo të ndodhë, Uashingtoni do ta deponojë Protokollin dhe do ta njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg se të gjitha 29 protokollet janë ratifikuar. Pastaj, Sekretari i Përgjithshëm e njofton Qeverinë tonë se mund edhe ne ta deponojmë instrumentin tonë të anëtarësimit, që është Marrëveshja që duhet ratifikuar sot. Në atë moment, ne zyrtarisht bëhemi anëtare e NATO-s – tha Zoran Dabiq, Ish ambasador në NATO.
Ndonëse në prag të anëtarësimit të plotfuqishëm, Maqedonia e Veriut momentalisht nuk ka ambasador në aleancën ushtarako-politike. Për shkak të vonesave me procedurat e brendshme, kandidati për ambasador, Dane Taleski po pret pajtim nga NATO për të filluar detyrën e re. Nga ana tjetër, edhe pse u paralajmërua që me ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike, të miratohej edhe Ligji i ri për Mbrojtje për të cilin nevojiten 2/3 e votave partitë nuk gjetën gjuhë të përbashkët. VMRO DPMNE-ja kundërshton riemërtimin e ushtrisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se mos-miratimi i ligjit nuk do të shkaktojë probleme.
Neni 5 për mbrojtje kolektive do të jetë obligim që del nga Marrëveshja sapo Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotfuqishme. Ne e ratifikuam Protokollin për anëtarësim dhe sapo ta ratifikojnë të gjitha shtetet anëtare, Traktati do të zbatohet mbi Maqedoninë e Veriut dhe Neni 5 do të jetë obligim – deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Me anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO pos përfitimeve, vendi do të ketë obligim të përfshihet në misionet ushtarake të NATO-s dhe detyrim financiar prej 2 milion dollarësh në vit për aleancën dhe të ndajë nga buxheti shtetëror 2% për mbrojtje. Ndryshe, rruga e Maqedonisë së Veriut për në NATO ishte shumë e gjatë dhe me sfida nga më të ndryshmet. Në vitin 1993 Kuvendi miratoi Rezolutë për anëtarësim në Aleancë. Në vitin 1995 iu bashkëngjit Partneritetit për Paqe, pas çka u bë pjesë e misioneve të ndryshme të NATO-s.
Në vitin 1999, në Samitin e Uashingtonit fitoi statusin e shtetit kandidat. Përpjekja për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit të vitit 2008 dështoi për shkak të Greqisë, respektivisht për shkak të kontestit rreth emrit. Ndërsa zgjidhja e këtij kontesti përmes Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018, u pasua me nënshkrimin e Protokollit për anëtarësim në NATO në shkurt të vitit të kaluar. Kështu nga anëtarësimi i plotë, na ndanë vetëm ratifikimi i Protokollit në Spanjë e cila pritet të përfundojë brenda muajit.
Anesa Saliu
Loading…




