Ish deputeti Stojan Andov, vlerëson se mund të formohet qeveria por me shumë vështirësi. Megjithatë, sipas tij, qeveria e ardhshme do ketë mundësinë të zgjidh disa çështje themelore dhe në atë mënyrë do t’i japë shtytje vendit për mbajte të zgedhjeve të reja në kushte tjera. Ai tha se nëse Gruevski nuk formon qeveri, mund të pritet Zaevi ta bëjë këtë.
I pyetur se cili do të ishte opcioni më i mirë, një qeveri teknike apo koalicion i gjerë, Andov tha se më e mirë do të ishte një qeveri e koaicionit të gjerë.
“Do të ishte mirë sikur të formohej qeveri e koalicionit të gjerë, të gjitha partitë parlamentare ta mbështesin në një farë mënyre, dhe ajo sigurisht do të kishte program të ngushtë, pasi është e vështirë të gjithë ta përkrahin. Ky solucion mendoj se është vështirë i realizueshëm. Solucion tjetër është të formohet qeveri ndoshta e shumicës ose qeveri e pakicës, kur partia më e madhe nuk ka vetë 61, por bashkë me parti tjera të mund të formojë qeverinë e ashtuquajtur të pakicës, kur edhe partitë që nuk do marrin pjesë në të do ta mbështesin atë. Ide të tillë dëgjova nga BESA”, tha Andov.
Edhe pse në njëfarë mënyre formimi i qeverisë së ardhshme varet nga vullneti i partive shqiptare, Andov tha se çështjet e hapura të shqiptarëve nuk duhet të shihen në prizmin e ndarjes dhe kushtëzimin për formimin e Qeverisë, edhe pse sipas tij nuk ka pasur vullnet politik nga ana e VMRO-DPMNE-së për zgjidhjen e çështjeve të shqiptarëve, por duhet të dokumentohen kërkesat e partive shqiptare për problemet etnike, dhe të rishikohet Kushtetuta.
“Nga listat që tash i japin BESA, PDSH, BDI, Aleanca, edhe ajo ka listën e vet, duhet të bëhet regjistër i çështjeve dhe kërkesave të tyre, duhet bërë një listë e çështjeve që janë të zgjidhura me ligj, por ligji nuk zbatohet, pastaj të përpunohen çështjet që kërkojnë miratim të ligjit të ri, dhe nëse edhe kjo nuk ndihmon, ndërkohë që ekzistojnë çështje zgjidhja e të cilave është e pranueshme, atëherë duhet parë puna e kushtetutës. Përndryshe Kushtetuta i zgjidh këto çështje, si dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive etnike dhe të drejtat e shqiptarëve te ne”, tha Andov në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja.
Ai shtoi se buxheti nuk duhet të ndahet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët si dy popuj shumicë në Maqedoni, duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë të barabartë buxhetin. Sipas tij, politika e tanishme buxhetore shkon në dëm edhe të maqedonasve edhe të shqiptarëve.
“Cili maqedonas, njeri normal, do të vlerësonte se është më urgjente ndërtimi i rrotës panoramike se sa ekologjia në Tetovë?
Ose kanalizimi në Singeliq, Haraçinë, në zonat e vërshyera. Cili njeri normal mund të mendojë ashtu? Ose tash kemi një situatë të deformuar, një politikë të lajthitur buxhetore. E shihni si është sot puna, një kal me gjithë patkonjtë, vetëm bishti i kalit e zgjedh problemin e një fshati, këto që përmendët, Singeliq, etj. Çka na duhet ajo punë, çfarë është kjo politike buxhetore? 500-600 miliona euro të shkojnë për këto gjëra? Do ta rregullonim të tërë Maqedoninë me ato pare”, tha më tej Andov.
Andov gjithashtu foli edhe për punën e Prokurorisë Speciale Publike, dhe tha se është shumë e natyrshme që kjo prokurori të ndjekë pushtetin, pasi opozita nuk sjell vendime buxhetore dhe pushteti nuk është në duart e tyre. /SHENJA/