Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski ndodhet për vizitë treditore në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin botëror të qeverive 2025. Në samitin e titulluar “Formimi i qeverive në të ardhmen”, Andonovski do të marrë pjesë me ftesë të kolegut të tij, Omar Sulltan Al Olama, Ministër i Inteligjencës Artificiale, Ekonomisë Digjitale dhe aplikacioneve për Punë në Distancë.
“Kjo ngjarje globale do të bashkojë mbi 30 krerë shtetesh dhe qeverish, 400 ministra, 80 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe 140 delegacione qeveritare për të diskutuar sfidat globale dhe për të krijuar zgjidhje inovative për të ardhmen. Samiti do të fokusohet në temat kryesore: teknologjitë e së ardhmes dhe inteligjenca artificiale, energjia e qëndrueshme dhe ndryshimet klimatike, si dhe shëndeti global dhe stabiliteti ekonomik. Andonovski do të trajtojë temat e inovacioneve në menaxhimin e administratës publike dhe transformimin digjital”; njofton Ministria e Transformimit Digjital.
Në kumtesë thuhet se Andonovski në kuadër të vizitës do të zhvillojë takime bilaterale me nikoqirin, ministrin Omar Sulltan Al Olama, me Mohamed Hamad Al Kuvajtin, shef i Departamentit të Sigurisë Kibernetike në Qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kibernetike, si dhe me Abdullah Naser Lootah, zëvendësministër për Çështje të Kabinetit për Konkurrencë dhe Shkëmbim të Diturisë.
Qëllimi i Samitit botëror për qeveritë 2025 është të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar, të frymëzojë gjeneratat e ardhshme të qeverive në gjetjen e zgjidhjeve inovative që do të përmirësojnë jetën e njerëzve në mbarë botën.
“Në samit do të marrin pjesë edhe liderë udhëheqës teknologjik dhe të biznesit: Elon Mask – CEO i Tesla, SpaceX, xAI dhe Twitter/X, Sundar Piçai – CEO i Google, Lari Elison – bashkëthemelues i Oracle, Klaus Shvab – themelues dhe kryetar i Forumit Botëror Ekonomik dhe Daniel Dins – CEO i UiPath, njoftoi Ministria e Transformimit Digjital.