Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski sot inspektoi rindërtimin dhe rinovimin e Qendrës së re të shërbimeve në Dellçevë e cila ndodhet në lokacionin e njohur në qendër të qytetit. Ministria, tha ai, mbetet e përkushtuar për t’i sjellë shërbimet elektronike më afër çdo qytetari, veçanërisht te ata që nuk kanë aftësi digjitale ose qasje në kompjuterë dhe internet.
“Qëllimi ynë është që çdo qytetar të ketë mundësi të ketë qasje lehtësisht në shërbimet e Portalit të Ministrisë së Transformimit Digjital. Qendra në Dellçevë do të jetë vend ku qytetarët do të marrin mbështetje dhe njohuri se si t’u qasen shërbimeve të nevojshme”, ka thënë Andonovski.
Ai theksoi se hapja e Qendrës pritet në shtator, ndërsa qytetarët do të jenë në gjendje të përdorin të gjitha shërbimet që u nevojiten, direkt në një vend.
Në Qendrën e re do të ketë në dispozicion më shumë se 300 shërbime, duke përfshirë certifikatën e shtetësie, listën pronësore, certifikatat e stazhit nga Fondi pensional, shërbime nga Agjencia e punësimit dhe shërbime të tjera elektronike të institucioneve shtetërore.
“Për momentin në Portal janë të kapshëm 200 shërbime që paraqet rritje të konsiderueshme në krahasim me shërbimet e mëparshme. Qytetarët tregojnë interes të madh për digjitalizimin e shërbimeve, gjë që është inkurajuese për ne”, shtoi ministri.
Ai theksoi se interesi për përdorimin e Portalit është rritur ndjeshëm – nga 1.000 përdorues në muaj, numri tani arrin në 7.400 që paraqet rritje prej shtatë herë e gjysmë. Ministri Andonovski theksoi se krahas sfidave të tilla si shkrim-leximi digjital, trajnimi i institucioneve dhe gatishmëria e tyre për digjitalizim, bashkëpunimi me institucionet më të mëdha në vend rezulton me rezultate të rëndësishme.
Përveç Dellçevës, Ministria planifikon hapjen e qendrave për shërbime edhe në qytete të tjera, duke përfshirë Sveti Nikollën, Krushevën dhe Negotinën.