Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mori pjesë sot në panelin ministror “Formësimi i Prosperitetit – Lidershipi Politik dhe Zgjedhjet Strategjike për Rritjen Ekonomike Dixhitale”, i cili po mbahet në kuadër të konferencës së qeverisjes elektronike në Talin të Estonisë. në fjalimin e tij, ministri Andonovski theksoi se transformimi digjital është parakusht thelbësor për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të sigurt dhe moderne.
“Digjitalizimi nuk është modernizim teknik opsional. Është baza për rritjen ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo qytetari – nga nëna në Shkup e cila nuk duhet të presë në radhë për të marrë certifikatë lindjeje, deri te sipërmarrësi në Kavadar i cili merr certifikatë për aktivitet energjetik pa paguar ryshfet”, tha ministri.
Ai theksoi se Maqedonia tashmë po zbaton prioritetet kryesore.
“Portal kombëtar i ridizajnuar i shërbimeve elektronike me më shumë se 250 shërbime online në dispozicion të të gjithë qytetarëve; plan për një qendër primare të të dhënave dhe konsolidim hibrid të burimeve të IT-së për menaxhim më të sigurt dhe efikas; Ligj i ri për Sigurinë Kibernetike dhe strategji kombëtare për sigurinë kibernetike, në përputhje me Direktivën Evropiane NIS2; katër ligje për digjitalizimin brenda Agjendës së Reformës – Partneritet me sektorin privat për të krijuar një ekosistem digjital gjithëpërfshirës dhe të sigurt”, tha Andonovski.
Ai theksoi se lidershipi politik është çelësi për shndërrimin e potencialit digjital në rritje dhe prosperitet të vërtetë.