Shkuan: SEFER TAHIRI
Sistemi mediatik në Maqedoninë e Veriut mbetet në krizë të thellë dhe akoma është i pademokratizuar. Pushteti që erdhi pas viteve të sundimit të Gruevskit dhe u cilësua si reformator bën reforma mediatike vetëm në letër. Me paratë publike filloi subvencionimi i mediave private të shtypit, mirëpo Komisioni që ndan mjetet është kryesisht i përbërë prej të deleguarve qeveritarë. Së fundmi është aktuale edhe nisma e Qeverisë për të lejuar ndarjen e mjeteve nga buxheti edhe për fushata dhe reklama publike, gjë që u ndalua nga vetë qeveria e Zaevit në fillimet e qeverisjes në vitin 2017 dhe ishte reforma e vetme e dukshme në hapësirën mediatike. Ndërkohë, Agjencia e Mediave dhe RTVM-ja mbeten institucione të politizuara, funksionarët atje qeverisin me mandat të skaduar, e funksionarët e rinj nuk zgjidhen për shkak të ngërçit politik në Kuvend. Faktori ndërkombëtar jep me vite rekomandime të shumta për reforma, por pak nga ato zbatohen. Si të reformohet transmetuesi publik- RTVM? Si mund të sigurojnë më shumë pluralizëm mediat komerciale? Si të zbatohen reforma dometheënëse në sferën mediatike në përgjithësi?
Sistemi mediatik në krizë, mbetet i pademokratizuar
Sistemi mediatik në Maqedoni që nga pluralizmi demokratik ka vite që është në krizë të thellë, që më tepër është reflektim i krizës së thellë politike, por edhe ekonomike, morale e kështu me radhë. Ky sistem është tejet i partizuar, ndërsa në funksion të kësaj teze janë lidhjet e ndërsjella midis pronarëve të disa mediave me partitë politike. Madje, në një pjesë të tyre pronarët de-fakto janë edhe liderë partish, ndonëse jo formalo – juridikisht. Të njëjtët pronarë mediash zotërojnë biznese të mëdha dhe, së këndejmi, lidhshmëria politikë – biznes – media shpesh tregohet fatale për standardet profesionale dhe normat etike. Por, tek disa media komerciale, ndonëse kjo lidhshmëri e drejtpërdrejtë midis partive dhe mediave nuk ekziston, funksionon në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, pra suptile dhe të sofistikuar.
Përveç ndikimit të madh të politikës ndaj mediave komerciale, edhe mosreformimi i transmetuesit radiodifuziv është një dimension tjetër i rëndësishëm, që ndikon ndaj faktit që ne të kemi kaq shumë dezinformim, propagandë të hapur politike, marketing të dukshëm ekonomik, shpifje dhe fyerje, përdorim të gjuhës së urrejtjes mbi baza të ndryshme, kryesisht etnike dhe fetare, por edhe baza tjera. Prania e lajmit të rremë (që më shumë është term politik, se sa gazetaresk, meqë nuk mund të ketë lajm që është i rremë), nuk është veçori vetëm e mediave onlajn, por edhe e mediave tradicionale, ndërsa tashmë sikur është bërë “modë” që portalet barazohen me lajmet, që publikohen pa u verifikuar faktet. Ky nuk është trend vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë në Evropë!
Peizazhi mediatik, kryesisht në mediat elektronike komerciale dhe publike, i cili jo vetëm që mbetet i pademokratizuar, por edhe funksionon sipas rregullave dhe standardeve të së kaluarës, është tregues se në Maqedoninë e Veriut i lihet hapësirë e madhe mediave onlajn, të cilat, duke qenë të parregulluara me ligj, shpesh janë qendra të prodhimit të dezinformatave, spekulimeve ose thashethemeve.
Në të gjitha raportet e organizatave respektabile, Maqedonia renditet si vend pjesërisht i lirë. Sipas Indeksit të lirisë së mediave të organizatës Reporterët pa Kufij, Maqedonia e Veriut nga 180 shtete renditet në pozitën e 57-të, duke lënë poshtë, si pasojë e gjendjes jo të mirë të mediave, vendet e Ballkanit si Kosovën në vendin e 61, Malin e Zi në vendin e 63-të, Bosnja në të 67-tin, Serbia në të 79-tin dhe Shqipërinë në vendin e 103-të .
Disa vite me radhë, sidomos gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, Maqedonia e Veriut në indekset ndërkombëtare të lirisë së shtypit radhitej e fundit në Ballkan, ndërsa në Evropë e parafundit.
Pushteti reformator bën reforma mediatike në letër
Lidhja Socialdemokrate e ish kryeministrit Zoran Zaev erdhi në pushtet me disa premtime, ndërsa njëri ndër më kryesorët ishte eliminimi i financimit shtetëror në sektorin e mediave komerciale. Pas ardhjes në pushtet, qeveria Zaev i publikoi të dhënat, sipas të cilave së paku 38 milion euro janë shpenzuar për fushata dhe propagandë në mediat elektronike dhe të shtypura në periudhën nga viti 2008-2015, ndërsa vetëm Televizioni Sitel ka marrë 7 milion euro. Bëhet fjalë për mjete financiare që i ka ndarë vetëm qeveria, duke mos përllogaritur paratë e komunave, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike. Sipas të dhënave qeveritare, pushteti i ish- kryeministrit Nikolla Gruevski ka shpenzuar mesatarisht nga shtatë deri në nëntë milion euro në media, kryesisht në ato pro-qeveritare, të afërta me VMRO-DPMNE-në. Me përjashtime të vogla, një shumë e paktë e parave është derdhur në mediat që kanë pasur qëndrim kritik ndaj ish-pushtetit. Për shembull, televizionet Telma dhe Alsat-M kanë marrë 35 herë më pak se televizionet e afërta me pushtetin.
Qeveria e Dimitar Kovaçevskit si duket është në rrugë që të asgjësojë këtë reformë të vetme të dukshme në sistemin mediatik, që e ka bërë qeverisja aktuale nga viti 2017 deri më sot. Ajo planifikon që ta shfuqizojë vendimin e saj për mënjanimin e reklamimit qeveritar, si një ndër problemet më të mëdha, ndoshta edhe thelbësor, që shkaktonte ndikimin e madh partiak ndaj politikës redaktuese të një pjese të mediave gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij VMRO-DPMNE, që nga viti 2006 deri më vitin 2016. Sipas Prizmës, portalit të BIRN Maqedoni, qeveria ka dorëzuar propozim në Kuvend, por i cili nuk ka hyrë në procedurë kuvendare, me të cilin parashikohet heqja e ndalesës së reklamimit shtetëror në radiot private dhe shtetërore. Jo vetëm kaq, por mediave u garantohet edhe shuma vjetore në vlerë prej 0.1 për qind e të ardhurave buxhetore të shtetit, që është rreth 3.5 milion euro, si dhe 0.5 nga buxhetet e 81 komunave.
Komuniteti mediatik, përmes shoqatave të ndryshme ka reaguar kundër nismës për rikthimin e reklamave qeveritare. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM), Instituti Maqedonas i Medias (IMM) dhe Këshilli i Etikës në Media (KEM), përmes reagimit publik kundërshtuan heqjen e ndalimit të reklamimit me fonde publike në mediat komerciale, duke ndryshuar nenin 102 të Ligjit të Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuale. “Kjo praktikë e blerjes së hapësirës mediatike nga institucionet publike në media për fushata mund të minojë pavarësinë e medias dhe të rrezikojë të drejtën e lirisë së shprehjes. Përveç kësaj, kjo mund të çrregullojë seriozisht tregun mediatik, i cili tashmë është i prekur nga fondet publike të parashikuara në Kodin Zgjedhor përmes programit politik me pagesë ”, thuhet në deklaratën e përbashkët.”
Më tej në reagimin e organizatave gazetareske thuhet se “Me përsëritjen e këtij gabimi, Maqedonia e Veriut kthehet dhjetë vjet mbrapa kur mediat u korruptuan drejtpërdrejt në mënyrë të ngjashme dhe u shkel pavarësia redaktuese dhe gazetareske. Paralajmërojmë se zgjidhje të tilla do të shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta, të përhershme dhe të pariparueshme për të gjithë sektorin mediatik. Prandaj, është e nevojshme që ndalimi i reklamimit në media të mbetet detyrim ligjor dhe të respektohet nga të gjitha njësitë e pushtetit qendror dhe lokal, si dhe nga ndërmarrjet publike”.
Të përkujtojmë, një ndër vendimet e para të Qeverisë Zaev ka qenë pikërisht heqja e reklamave qeveritare. Në mbledhjen e mbajtur më 17 gusht të vitit 2017 miratoi vendimin për heqjen e shpërndarjes së fondeve financiare që jepeshin në emër të fushatave publike. Në anën tjetër, nuk u hoq reklamimi i paguar politik gjatë fushatave parazgjedhore, të cilin sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të miratuara në vitin 2018, nuk e paguajnë subjektet politike, por buxheti i shtetit, përkatësisht paguhet me paratë e qytetarëve. Partive politike u lejohet vetë të vendosin se në cilat media duan të bëjnë publicitet të paguar, duke i vënë mediat në pozitë të pabarabartë!
Nuk është kurrfarë praktike evropiane reklamimi politik në mediat onlajn dhe monitorimi i tyre nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, meqë vetë-rregullimi i mediave përjashton ndërhyrjen e shtetit ndaj mediave, në cilën do formë qoftë, e mbi të gjitha ndaj financimit të tyre.
Me para publike subvencionohen gazetat private
Përderisa Qeveria i ndaloi reklamat qeveritare në mediat elektronike, e njëjta vendosi që me fonde të mbështesë harxhimet e shtypjes dhe distribuimit të mediave tradicionale të shtypura në vend. Sipas pushtetit, ndarja e parave buxhetore bëhet me rekomandim të grupit të ekspertëve që drejtohej nga Rajnhard Pribe, edhe pse para se të vinte në pushtet, Lidhja Socialdemokrate në programin e saj kishte shkruar qartë se nuk do të lejojë derdhjen e parave publike në media.
Fondet e parashikuara u ndahen gazetave dhe revistave në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Subvencionet ndahen për mediat e shtypura me karakter të përgjithshëm informativ, që publikojnë përmbajtje për rrjedhat politike, ekonomike, sociale, kulturore e të tjera. Mediat që fitojnë para qeveritare, duhet t’i kenë të realizuara të gjitha detyrimet ndaj shtetit dhe të punësuarve. Në procesin e arritjes së marrëveshjes me qeverinë ka marrë pjesë Asociacioni i Mediave të Shtypura, ndërsa Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka dhënë propozime.
Lista e subvencioneve të lejuara në vitet 2018 – 2020 për gazetat është si vijon:
- Slloboden Peçat ‒ 638.000 euro
- Veçer ‒ 342.000 euro
- Nova Makedonija – 291.000 euro
- Koha ‒ 221.000 euro
- Fokus ‒205.000 euro
- Kapital ‒68.000 euro
- Lajm‒ 47.000 euro
————————————
Total: 1.812.000 euro
Burimi: Prizma, portal i BIRN-it – Maqedoni e Veriut
Ndarjen e fondeve për gazetat e bën një komision, përbërja e së cilit është e ngjashme me atë të Komisionit Qeveritar Ndër – sektorial, i cili në qeverinë e Gruevskit vendoste për ndarjen e fondeve për financimin e 50% të programeve televizive që ishin me interes publik. Për përmbushjen e kritereve vendos komisioni shtatë-anëtarësh. Një anëtar është përfaqësues i kabinetit të ministrit, i angazhuar për Komunikime, Llogaridhënie dhe Transparencë (dikaster që u shua dhe në vend të tij u formua ai për politika të qeverisjes së mirë), një përfaqësues nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, një përfaqësues i Ministrisë së Financave, një nga zyra e kryeministrit, një nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administrata dhe dy përfaqësues nga Asociacioni për Mbrojtjen e Mediave të Shtypura në Maqedoninë e Veriut.
Në të ardhmen duhet të rishikohet procesi i ndarjes së fondeve për gazetat dhe revistat, pasi i njëjti, nëse varet mbi 70 për qind nga qeveria apo eksponentë të saj në këtë komision, ngelin dyshimet se vallë ndahen subvencionet sipas motiveve politike që mund t’i kenë përfaqësuesit qeveritarë. Duhet të gjendet një model, i cili absolutisht e përjashton qeverinë nga procesi i vendimmarrjes mbi subvencionet shtetërore për mediat e shtypura private. Kjo do të thotë se duhet formuar një komision i ri, i cili do të jetë i pavarur dhe në të nuk do të ketë as dominim të anëtarëve të Asociacionit të Mediave të Shtypura.
Nga viti 2018 deri në vitin 2021, gazetat për çudi nuk kanë pasur detyrim që të dorëzojnë raporte për mënyrën e shpenzimit të parave të ndihmës shtetërore, ndërsa qeveria tashmë ka vendosur që mediat e shtypura të dorëzojnë raporte financiare, me qëllim që të shmangen të gjitha dilemat se si shpenzohen fondet.
Agjencia e Mediave dhe RTVM-ja, institucione të politizuara
Nuk mund të pritet të kemi media të lira, të cilat do respektojnë me përpikëri standardet profesionale dhe normat etike, kur nuk kemi organ rregullator që do të ketë besueshmëri, të cilën do ta arrinin anëtarët që nuk janë me përkatësi partiake – politike. Aktualisht, anëtarët e Këshillit të Agjencisë së Shërbimeve Audio dhe Audiovizuale Mediatike janë persona të zgjedhur nga ish-koalicioni qeveritar VMRO – DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), me përjashtim të anëtarit të propozuar nga Shoqata e Gazetarëve, që është gazetari Zoran Fidanovski.
Deklarativisht, qeveria e re e ish-kryeministrit Zoran Zaev pohonte se prioritet do t’i ketë reformat në media. Ato në mënyrë konkrete nënkuptojnë përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë së Mediave dhe Këshillit të transmetuesit publik – Radiotelevizioni Maqedonas, i cili pas firmosjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë është emërtuar si Radiotelevizioni Nacional.
Zgjidhjet e reja ligjore reformuese, legalisht, pra në letër, siguruan proces transparent të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit të RTVM-së dhe Këshillit të Agjencisë së Mediave, si trup rregullator. Synimi i ligjdhënësit është që në organet e këtyre dy institucioneve të përzgjidhen njerëz, që kanë përvojë të mjaftueshme profesionale në fushën e mediave ose fushat që kanë ndërlidhje me mediat, ndërsa, para së gjithash, të jenë njerëz që kanë besueshmëri dhe integritet profesional.
Ka shkuar tashmë në histori koncepti i propozuesve të autorizuar, siç e parashikonte ligji i vjetër i fushës së mediave, sipas të cilit anëtarë të Këshillit të Agjencisë së Mediave delegonin si vijon:
– Shoqata shumicë e Gazetarëve propozon një anëtar
– Konferenca Ndër- universitare propozon një anëtar
– Oda e Avokatëve propozon një anëtar
– Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut propozon një anëtar
– Bashkësia e Njësive të Vetë – administrimit Lokal propozon një anëtar
– Komisioni i Zgjedhjeve dhe Emërimeve i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut propozon dy anëtarë të Këshillit të Agjencisë së Mediave
Me ndryshimet dhe plotësimet ligjore, të miratuara në vitin 2018, zbatohet modeli i ri i zgjedhjes përmes konkursit publik. Sipas ligjit, profesionistët e fushave të ndryshme që vetëkandidohen, i nënshtrohen debatit të organizuar publik në Kuvend, me pjesëmarrjen e organizatave joqeveritare.
Kandidatët që konkurrojnë për anëtarë të këshillave detyrohen të dorëzojnë së paku dy letra për mbështetje nga organizatat e ndryshme, që merren me lirinë e mediave, përfshirë edhe shoqatat e gazetarëve, organizatat e të drejtave të njeriut dhe institucionet e arsimit universitar në fushën e gazetarisë dhe komunikimit. Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, sipas ligjit, edhe pse ishte i detyruar të organizojë debat publik në afat prej një muaji pas përfundimit të konkursit që u hap më 16 janar të vitit 2019, një gjë të tillë nuk e bëri.
Deri më tani, në mbledhjet e Komisionit të Zgjedhjeve dhe Emërimeve vetëm janë konstatuar emrat e kandidatëve që i përmbushin kushtet e përcaktuara me nenin 16 të Ligjit të Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audio-vizuale. Në konkursin e parë për 7 vende në Këshillin e Agjencisë së Mediave konkurruan 28 kandidatë, ndërsa për 13 vendet në Këshillin Programor të RTVM-së ishin paraqitur 19 kandidatë.
Kreu i Komisionit nga radhët e VMRO- DPMNE-së, Ilija Dimovski shprehej se nuk mund të organizojë debat, pasi mungonte marrëveshje midis partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Zgjedhja e kandidatëve, si në këtë komision, e po ashtu edhe në seancën plenare, bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve, përkatësisht nga 120 duhet të votojnë 80 deputetë.
Në fund të vitit 2020, kryetari i ri i Komisionit të Zgjedhjeve dhe Emërimeve nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate e Maqedonisë, Kostadin Kostadinov, kryetar i sotëm i komunës së Strumicës, ka njoftuar kandidatët, midis së cilëve edhe autorin i këtij teksti, se është shfuqizuar konkursi, pa dhënë asnjë arsyetim, të paktën formal – juridik.
Meqë konkursi i parë ishte i pasuksesshëm, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 7 maj të vitit 2021 shpalli konkursin e dytë. Ai përfundoi më 5 qershor, ndërsa për 7 anëtarë të Këshillit të Agjencisë së Mediave konkurruan 27 kandidatë, ndërsa 26 kandidatura u paraqitën për 13 anëtarë në Këshillin e RTVM- së. Kandidatët nuk kanë marrë asnjë njoftim nga Kuvendi lidhur me konkursin e dytë, gjë që flet për efikasitetin e Kuvendit si institucion shtetëror!
Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut vazhdon të funksionojë me organ rregullator, i cili është kryekëput partiak – politik, pasi përbërja aktuale e Këshillit të Agjencisë së Mediave e dëshmon këtë. Drejtori i saj, Zoran Trajçevski është kuadër i afërt me VMRO-DPMNE. Siç qëndron në jetëshkrimin e publikuar zyrtar në faqen e internetit të Agjencisë “Zoti Trajçevski është drejtor i mëparshëm i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike”. Meqë, drejtorin e kësaj agjencie e zgjedh qeveria, është e dukshme se Trajçevski ka qenë kuadër politik, ndërsa dëshmi për këtë është fakti se ka pasur edhe shumë pozita politike, siç është ajo e përfaqësuesit qeveritar në Shoqatën Aksionare “Telekomunikimet Maqedonase” dhe kryetar i Kuvendit të aksionarëve në këtë ndërmarrje.
Trajçevski është zgjedhur në mandat pesëvjeçar më 7 tetor të vitit 2014, që do të thotë se mandati i tij tashmë është i përfunduar dhe ka skaduar para 3 viteve. Njëjtë është gjendja edhe me mandatin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë së Mediave, të cilët Kuvendi i zgjodhi në korrik të vitit 2014. Nuk është plotësuar as vendi i zbrazur i ish-anëtarit të Këshillit të Agjencisë së Mediave, Milaim Fetai, i cili është emëruar ambasador i plotfuqishëm i Maqedonisë së Veriut në Kroaci, ndërsa vendin e tij të zëvendëskryetarit e ka zënë Selver Ajdini.
Edhe në shërbimin radiodifuziv publik – Radiotelevizioni i Maqedonisë së Veriut, gjendja është e ngjashme. Për shkak të bllokimit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime nuk mund të bëhet zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor të RTVM-së, që më pas do të bënte zgjedhjen e organeve të reja, sidomos drejtorit dhe zëvendësdrejtorit ekzekutiv. Edhe pozita e zëvendësdrejtorit të mëparshëm, pas pensionimit të gazetarit të Programit në Gjuhën Shqipe, Harun Ibrahimi, mbetet e zbrazët. Edhe mandatet e anëtarëve të Këshillit Programor, por edhe i drejtorit ekzekutiv të transmetuesit publik, Marjan Cvetkovski kanë skaduar, përkatësisht, vetëm se është vazhduar mandati i tyre. Nuk pati sukses as tentimi i Këshillit aktual Programor i RTVM-së, i cili pati tentim për rizgjedhjen e Cvetkovskit, por mbledhja u anulua, pasi pati reagime se ky vendim do të ishte joligjor, meqë ky organ i rëndësishëm i transmetuesit publik nuk ka mandat të plotë.
Faktori ndërkombëtar me rekomandime të shumta për reforma
Reformat në sistemin mediatik ishin pjesë e Propozimit për reforma të menjëhershme demokratike, i përgatitur nga grupi i organizatave joqeveritare dhe ekspertëve, i njohur si grupi Blueprint, një grupim joformal për reforma në sistemin shoqëror të Maqedonisë së Veriut. Që në vitin 2015 ky grup ka propozuar që ndërhyrjet të fokusohen tek mungesa e pavarësisë së trupit rregullator nga partitë në pushtet, nga industria mediatike dhe qendrat tjera të fuqisë. Po ashtu, grupi rekomandonte që të punohet në mënjanimin e mungesës së autonomisë dhe pavarësisë institucionale të transmetuesit publik. Si hapa urgjent rekomandoheshin ndryshimet tashmë të bëra ligjore, të cilat në aspektin juridik – normativ sigurojnë depolitizimin (departijzimin) e organit rregullator të mediave dhe Këshillit Programor të RTVM-së.
Propozimet e organizmit joformal Blueprint, u përfshinë në rekomandimet e ndërmjetësit ndërkombëtar, Piter Vanhaute, i cili mendonte se depolitizimi i organit rregullator dhe transmetuesit publik garantohet me atë që anëtarët e rinj të trupave, profesionistë dhe ekspertë të fushave do të zgjedhen me dy të tretat e votave të deputetëve. Por, edhe këto propozime, sado që në teori duken ideale, nuk funksionojnë në një demokraci të brishtë, siç është kjo në Maqedoninë e Veriut. Aq më tepër nuk funksionojnë, kur dihet se kapaciteti demokratik i partive politike në raport me mediat është minimal, pasi heqja dorë nga kontrolli i këtyre trupave e përforcon pavarësinë e mediave nga politika, ndonëse jo në nivelin e vendeve me demokraci të plotë në Evropë.
Edhe raportet e shumta të grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian, i kryesuar nga Rajnhard Pribe, kanë rekomanduar në vazhdimësi reformimin e organit rregullator dhe transmetuesit publik. Në pjesën e cila trajton trupat e pavarura kontrolluese dhe mbikëqyrëse rregullatorë, kërkohet që në praktikë të sigurohet autonomi e këtyre trupave, me qëllim që të funksionojnë në mënyrë efektive dhe pa presion politik. Sipas Pribesë duhet të ketë vullnet politik që të sigurohet fonde për funksionimin e këtyre institucioneve, ndërsa anëtarësimi në to të bazohet tek aftësitë dhe përvoja profesionale.
Faktin se një pjesë e madhe e mediave janë në shërbim të interesave partiake – politike dhe ekonomike e ka vërtetuar edhe Komisioni Evropian. Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut vazhdohet me refrenet e njëjta për reformimin e sistemit mediatik. “Qeveria duhet të rrisë përpjekjet për reformimin e shërbimit radiodifuziv publik, duke siguruar pavarësi dhe qëndrueshmëri financiare. Procesi i reformave është vështirësuar nga moszgjedhja e anëtarëve në Këshillin Programor të RTVM- së dhe Këshillin e Agjencisë së Mediave.”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Si të reformohet transmetuesi publik – RTVM?
Në fakt, RTVM, edhe 30 vite pas transformimit juridik – normativ të sistemit politik të vendit, mbetet institucion i pareformuar, me programacion tepër të varfër, me kuadër që ka moshë mesatare prej 56 vitesh, me ndikim të madh të partive politike ndaj politikës redaktuese dhe me një akomodim pasiv të të punësuarve brenda institucionit, që është rezultat i “status quosë” që mbizotëron gjithë këto vite.
E para dhe e padiskutueshme është përforcimi i pavarësisë institucionale dhe financiare të RTVM-së, meqë vetë emërtimi shërbim publik tregon se është themeluar nga publiku, financohet nga publiku dhe duhet të jetë në funksion të interesit publik.
Heqja e taksës radiodifuzive dhe rikthimi i financimit nga buxheti i shtetit e rishfaqi dilemën se sa kjo mënyrë e financimit do të ndikojë ndaj pavarësisë së medias publike, edhe pse, në rastin e Maqedonisë së Veriut, paratë ndahen nga buxheti i shtetit dhe duhet të jetë në shërbim të interesit publik. Në Këshillin Programor të RTVM-së, me qëllim që të jetë më funksional, nuk duhet të “delegohen” vetëm njerëz të afërt me partinë politike në pushtet.
Shërbimi radiodifuziv publik, përkatësisht segmentet e tij programore, duhet të jetë më bashkëpunues me shoqërinë qytetare, sepse vetëm në këtë mënyrë bëhet transmetues publik dhe nuk mbetet transmetues qeveritar – partiak. Programi i RTVM-së, sidomos në segmentin e raportimit dhe debatit politik, duhet të rrezatojë profesionalizëm, objektivitet dhe paanshmëri politike. Pra, duhet të jetë forum i hapur për mendimet dhe qëndrimet e grupeve të ndryshme, jo vetëm politike, por edhe shoqërore, sepse ky është detyrim dhe mision i tij. Në fund të fundit, qytetarët janë ata që mbushin buxhetin e shtetit, nga i cili financohet RTVM-ja!
Mediat komerciale të sigurojnë më shumë pluralizëm
Realisht, kemi pluralizëm në sektorin televiziv komercial, sepse kemi pesë televizione me licencë tokësore për transmetim, ndërsa ekzistojnë edhe televizione tjera, që kanë licencë nacionale kabllore. Por, në aspektin e programacionit, të gjitha janë televizione gjeneraliste. Nuk ka asnjë televizion të specializuar për ndonjë segment të caktuar programor ose që i dedikohet një publiku të segmentuar. Duhen rinovime në programacion, ndërsa si pikënisje nevojitet që të fuqizohet gazetaria hulumtuese. Gjithashtu, duhet të krijohen programe informative dhe dokumentare hulumtuese, të cilat në fokus do ta kenë qytetarin, problemet dhe hallet e tij të përditshme, ndërsa në lajme dhe në programe tjera duhet të ulet prania e madhe e politikanëve dhe e drejtuesve të institucioneve.
Përfundime të shkurtëra
Për erozionin e tërësishëm të sistemit mediatik është dashur një dekadë e plotë, edhe pse jo që nuk ka pasur erozion edhe në dy dekadat e para të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, për rimëkëmbjen e tij, siç po shihet nga ritmi i jetësimit të reformave, do të kalojë më shumë kohë se aq.
Më urgjent është reformimi i Agjencisë së Mediave dhe RTVM-së, ndërsa si hap i parë duhet të jetë përzgjedhja e organeve, të cilat do të jenë të pavarura nga partitë politike (sidomos nga pushteti) dhe në to do të bëjnë pjesë profesionistë të fushës së mediave dhe fushave të përafërta me gazetarinë.
RTVM – ja duhet të depolitizohet dhe të jetë forum i hapur, i cili në përmbajtjet e tij do të shfaq dhe reflektojë pluralizmin, jo vetëm politik, por edhe të mendimeve të ndryshme në shoqëri, ndërsa me objektivitet dhe intonacion koheziv do të kujdeset për reflektimin e diversitetit etnik, kulturor, gjuhësor e fetar në Maqedoninë e Veriut.
Mediat komerciale nuk duhet vazhdimisht të kërkojnë fonde nga shteti, por duhet t’i nënshtrohet rregullave të tregut të lirë. Themelimi i cilitdo fond për ndihmë shtetërore në media është në kundërshtim me parimet dhe standardet e demokracisë parlamentare, pasi shteti nuk duhet të ndërhyjë me fonde në financimin e medias. Kjo nënkupton varshmëri politike të mediave, kur dihet se vendi nuk ka potencial të lartë demokratik.
Duhet të rishikohet procesi i ndarjes së fondeve për mediat e shtypura, me atë që do të formohet një komision i pavarur profesional, në të cilin ndikimi i qeverisë do të jetë as më pak e as më shumë, por zero.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)