“Obama i Maqedonisë apo platforma e Tiranës: si të fitoni më shumë vota ‘nga të tjerët’ dhe çka mëtej?” është titulli i analizës së Qendrës për Hulumtim dhe Krijim të Politikave (QHKP), e cila i prezantoi përvojat e partive politike në Republikën e Maqedonisë për atë nëse, pse dhe (nuk) arritën t’i tërheqin votat e votuesve nga përkatësi të tjera etnike. Sipas QHKP, analiza jep rekomandim për atë se si të zbutet retorika nacionaliste që është paraqitur pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. “Përfitimi i votave nga komuniteti “tjetër”, gjegjësisht “votues maqedonas dhe shqiptarë” nga ana e kandidatëve dhe partive “shqiptare apo maqedonas” nuk është mision i pamundur. Me mesazhe dhe fushatë joshëse, Imer Selmani në vitin 2009 dhe LSDM në vitin 2016 arritën të fitojnë numër të konsiderueshëm të votave nga “të tjerët”.
Selmani nuk arriti ta përsërisë suksesin zgjedhor në ciklet e mëtutjeshme, ndërsa çështje është nëse edhe LSDM-ja do të mund t’i mbajë votat që u janë besuar nga pothuajse 40.000 shqiptarë të Maqedonisë. Ajo që është me rëndësi është se pas suksesit të Imer Selmanit dhe LSDM-së, RM nuk është fokusuar në ndërtimin e politikave multikulturore, programe partiake dhe fushatë”, thekson QHKP. Në analizën konkludohet se shoqërisë të Maqedonisë i nevojitet reformë e sistemit politik dhe zgjedhor në drejtim të përforcimit të integrimit dhe kohabiticionit ndëretnik.