Kryeministri Zoran Zaev, në këto zgjedhje lokale është parë në terren jo vetëm si përkrahës i kandidatëve të partisë së tij, por përkrahje të fuqishme ka dhënë edhe për kandidatët e BDI-së.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, shihet angazhim maksimal nga kryeministri Zaev dhe kryetari i ri qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, të cilët mbështesin jo vetëm kandidaturën e Visar Ganiut, por edhe për projektet që janë të përfshira në Kontratën e kandidatit të BDI-së. Megjithatë, përkrahja e LSDM-së nuk mungon edhe për kandidatët e tjerë të partisë shqiptare në qeveri.
Sipas analistit Naser Pajaziti, kryeministri Zaev, e ka të drejtën të bëj fushatë dhe ai po e shfrytëzon këtë kartë duke i ndenjur besnik marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor me BDI, por sipas tij, nuk është korrekte që kryeministri, në një komunë të flas dhe të premtoj në emër të kandidatit të partisë tjetër, sepse bie ndesh me parimet e qeverisjes.
“ Kjo ka të bëj me faktin se ai përballë, si kundër kandidat, ka partnerin e tij të koalicionit, në këtë rast ASH. Antagonizmat e kësaj fushate janë se në raundin e parë LSDM më tepër u mor me qeverisjen e kaluar dhe Nikolla Gruevskin, duke lënë nën hije ofertën e kandidatëve të tij nëpër komuna. Këto akrobacione të tij duke zbarkuar në arenën e përballjes së dy partnerëve të tij të koalicionit në nivel qendror, nxitën reagime dhe çarje në Qeverinë e tij edhe ashtu të brishtë për nga numrat. Megjithatë, mendoj se Zaev, këtë e bën me plan dhe paramendim të detajuar, pasi që tashmë ka hyrë në bastionet e partive shqiptare, për të determinuar pozicionimet e tyre”- tha Naser Pajaziti.
Ndërsa, analisti Isen Saliu, thotë se angazhimi i kryeministrit Zaev, në këtë mënyrë në zgjedhjet lokale, bie ndesh me rekomandimet e raportit të Pribesë. Njëkohësisht, Saliu, përmend edhe dy pika të tjera që e bëjnë jo-korrekt angazhimin e kryeministrit në fushatën e një partie tjetër.
“Ka tre momente që sipas mendimit tim e bëjnë jo-korrekt angazhimin e kryeministrit në fushatën e një partie tjetër. Momenti i parë është se ky angazhim bie ndesh me rekomandimet e Pribes, respektivisht BE-së, për ndarje të qartë të shtetit nga partia. Jokorrektësia e dytë qëndron në faktin se kryeministri në këtë rast po punon kundër vullnetin të atyre që e sollën në pushtet, respektivisht po ndihmon ata që më shumë se 10 vite e mbajtën në opozitë. Kurse momenti i tretë që e bën jokorrekte sjelljen e kryeministrit në këtë fushatë, është fakti se ai po përkrah një parti që dyshohet për manipulime zgjedhore në të kaluarën, pikërisht në komunat ku tani ka përkrahjen më të madhe nga kryeministri”- th Isen Saliu.
Pak ditë më parë, për veprimet e kryeministrit Zoran Zeav, reagoi edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, përmes një postimi në Facebook ku ndër të tjerat shkruan se LSDM zgjodhi të jetë krah atyre që dikur i shpallte kriminel.
“Megjithatë, ndonëse është i vetëdijshëm se BDI vazhdon të udhëhiqet nga të njëjtit që prej kohës së regjimit dypartiak të uzurpimit të shtetit, kryeministri zgjodhi të jetë në krah të atyre që dikur i shpallte kriminel. Dhe në fund, Zoran Zaev, duhet ta dijë se gjysma e regjimit të Nikolla Gruevskit me BDI, u rrëzua edhe me vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët ose do të jenë të barabartë juridikisht në këtë shtet ose ky shtet nuk do të ekzistojë fare. Sepse, kurrë nuk do të lejojmë edhe një diktator të ri”. ”- shkruan Kasami.
Në ditën e zyrtarizmit të koalicionit Aleanca –BESA, përfaqësuesit e këtyre dy partive politike kërkuan që kryeministri Zaev, të jetë neutral në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahet më datë 29 tetor.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com