Fjalorin e VMRO-DPMNE-së ndaj BE-së dhe SHBA-së, ish diplomatët e vlerësojnë si një incident gjysmëdiplomatik. Sipas ish diplomatit Nano Ruzhin, në fjalorin diplomatik cilësohet si dhunë diplomatike, fakti që shteti nikoqir drejton pyetje, interpretime, kërkesa si dhe kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ruzhin e shpjegoi këtë me tre elemente, duke thënë se agresiviteti i çuditshëm dhe të dëshpëruar i VMRO-DPMNE-së, ndodh për shkak të vështrimit kritik të Komisionit Europian dhe SHBA-së ndaj sjelljeve të këtij subjekti politik. Elementi i dytë sipas Ruzhin, është përpjekja e familjes së ashtuquajtur politike të Gruevskit që të imitojë forcat si Rusia dhe Kina. Ruzhin vlerëson se sipas kësaj ata duan të sillen si një shtet sovran tek i cili askush nuk duhet të përzihet, por harrojnë se megjithatë Maqedonia është shtet kandidat për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe duhet patjëtër të pranojë reformat e përafërta me familjen e BE-së dhe NATO-s.
“Dhe elementi i tretë i cili supozoj se e ka inicuar këtë pafytyrësi diplomatike të VMRO-DPMNE-së, është se në SHBA kanë ndodhur ndryshime, dhe duke shpresuar se me kritikën ndaj zonjës së vjetër BE-së, e cila nuk është edhe aq simpatike në sytë e Donald Trampit dhe me kritikën ndaj ambasadorit aktual Bejli, shpreson se Tramp do të ndalet në atë dhe ai do të qëndrojë në anë të Gruevskit, por unë mendoj se ai është një parashikim i keq”, ka deklaruar ish diplomati Nano ruzhin.
Sipas Ruzhin, duke pasur parasysh afrimin e fundit të kësaj Qeverie, është shumë e kuptueshme nervoza e VMRO-së. Ai pret që lëvizje të tilla do të ketë edhe në të ardhmen, pasi VMRO-DPMNE bashkësinë ndërkombëtare e sheh si një armik të jashtëm i cili ka shkaktuar rënie të VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, gazetari Isen Saliu, vlerëson se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së ndaj ndërkombëtarëve është një lloj paralajmërimi se po përgatiten për zgjedhje të reja të mundshme parlamentare si dhe afrim i zgjedhjeve lokale.
“Mendoj se kjo është pjesë e fushatës së VMRO-DPMNE, pjesë e fushatës parazgjedhore sepse në këtë parti vetëm se e kanë bërë me dije qëndrimin se rrugëdaljen nga kjo krizë e shofin në zgjedhje në zgjedhjet e reja parlamentare. Por edhe po të mos mbahen zgjedhje të reja parlamentare, në mars, prill ose maj do të mbahen zgjedhje lokale, kurse VMRO-DPMNE-së, ende i shitet të një pjesë e madhe e elektoratit maqedonas strategjia e përplasjes me fakton ndërkombëtarë, ende i shiten teoritë e komplotit se Evropa, bota janë kundër Maqedonisë. Dhe, këto deklarata të VMRO-së i shohim në funksion të kësaj fushate”, ka thënë gazetari Isen Saliu.
Përndryshe, VMRO-DPMNE ka kërkuar nga ambasada e SHBA-së që të qartësojë nëse qëndrimi i tyre se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, rrespektivisht se partitë në përbërjen e tanishme, duhet të flasin për formim të Qeverisë së re, është edhe qëndrim zyrtar i Uashingtonit. Ambasada e SHBA-së sot ka kumtuar shkurt se kanë thënë atë që kanë pasur për të thënë. Reagimet e VMRO-së ndaj ndërkombëtarëve kanë vazhduar edhe sot.