Reforma në organet e drejtësisë, në media, në arsim, në shëndetësi, në MPB, në KSHZ, shumë punë dhe jo aq shumë kohë.
Megjithatë,edhe përkundër kësaj Maqedonia po shpreson se pas 6 muajsh do të marrë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.
E pikërisht për të biseduar për reformat, javën e ardhshme, më saktë të hënën, vendin do ta vizitojë eurokomisari për zgjerim Johanes Hahn dhe një ditë më pas eksperti Rajnhard Pribe. Ky i fundit do të përgatisë vërejtjet për procesin e reformave sipas raportit që mban emrin e tij, ndërsa diplomati Hahn do t’i dorëzojë qeverisë propozim- plan aksionar për zbatimin e reformave prioritare, ku do të paraqiten plane afatshkurtër dhe afatmesëm, shkruan Almakos.
Për analistët harku kohor prej 6 muajsh për realizimin e të gjitha reformave, nuk është i mjaftueshëm, por për zbatimin e një pjesë të tyre është mëse i mjaftueshëm.
Analisti Ismet Ramadani, thotë për Almakos, se në nëntor vendi edhe mund të marrë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.
“ Fillimisht duhet të çlirohen institucionet nga kapja politike duke u nisur nga gjyqësia dhe institucionet tjera, pastaj të krijohet një ambient i një dialogu politik pozitë-opozitë, marrëdhënie ndëretnike më të harmonizuara, mediume të lira, në segmentet tjera të gjitha ato që kanë të bëjnë me rritjen e standarteve dhe kritereve që janë në përputhje me kërkesat e BE dhe NATO-s. Ndërkombëtarët janë të vetëdijshëm se në një kohë të shkurtër të gjitha ato standarte nuk mund të arrihen, por ata vërejnë një vullnet të mirë në qeverinë e re, për të cilin do të japin edhe ata kontributin e vet dhe definitivisht mund të pritet, pra, që të merret një rekomandim të pakushtëzuar për bidesimë ose negociata për anëtarësimin në NATO dhe BE”- tha analisti Ismet Ramadani.
Më tej, Ramadani thotë se sa i përket çështjes së emrit, ajo do të zgjidhet pasi edhe po punohet në atë drejtim, e presioni më i madh, sipas tij, tani do të rëndojë mbi Greqinë.
Të njëjtin mendim ndan edhe analisti Jove Kekenovski, ai thotë se raportet Greqi-Maqedoni janë nderlikuar deri më tani për shkak të një politike jo të sinqertë që ka zbatuar Gruevski dhe kompania e tij.
“Mendoj se kjo qeveri ka deshirë, ka vullnet , për kapacitet do të ndihmojmë të gjithë sa mundemi. Më me rëndësi është vullneti politik për t’i realizuar obligimet e marra dhe nëse punojmë me qëllim të mirë, të jeni të sigurtë se edhe përgjigjia do të jetë pozitive, diku nga shtatori/tetori do të ishte seriozisht pozitive. .Mendoj se rekomandimi do të jetë i pakushtëzuar , veçanërisht jo për në BE, por për në NATO. Tani Grekët përbëjnë ndonjë problem në atë pjesë, megjithatë sa u përket grekëve edhe ata janë të vetëdijshëm se nënshkrimi i marrëveshjes së përkohshme neve na lejon që ne të behëmi pjesë e NATO-s me emrin e perkohshëm”- tha Analisti Jove Kekenovski.
Sipas Kekenovskit, për të pasur një gjyqësi të pavarur dhe serioze mjafton edhe hakur kohor deri në fund të shtatorit, ndërsa ajo që do të marrë më shumë kohë do të jetë departizimi i institucioneve.
Raporti i KE për Maqedoninë i publikuar vitin e kaluar fliste për një demokraci dhe sundimi të ligjit vazhdimisht nën sfidë, situata ndëretnike të brishtë, thuhej se Marrëveshja e Ohrit ende duhet të përfundojë në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, Komisioni shënonte edhe shfrytëzimin e administratës publike si mjet politik, akuza për presion mbi personelin dhe politizimin e administratës në vitin e zgjedhjeve, gjyqësor i pavarur, korrupsion, liria e shprehjes dhe gjendja e mediave mbetet një sfidë serioze si dhe një ngecje në zhvillimin ekonomik.
Këtë vit Maqedonia shpreson se do të marrë një raport shumë më pozitiv.
Evi Shkopi
Almakos.com