A do të votojnë qytetarët në këto zgjedhje lokale se pari duke u bazuar në individin që garon për kryetar komune apo do të jetë me rëndësi partia nga e cila vjen dhe vjetët e tij në politikë?
Ndryshe nga çka ndodhur në Shqipëri apo Kosovë, kandidatët për kryetarë komune në vendin tonë kanë qenë emra mirë të njohur dhe me përvojë prej shumë vitesh në jetën politike në vend apo të afërt me partinë për të cilën garojnë.
Megjithatë, analisti Ismet Ramadani shprehet se ka ardhur koha që edhe në Maqedoni në postin për drejtues komunash të propozohen emra të rinj, të cilët gëzojnë autoritet në zonën ku jetojnë dhe veprojnë, shkruan Almakos.
“Them se paritë duhet t’i tejkalojnë kornizat e ngushta partiake kur bëhet fjalë për kryetarë komune. Ta tejkalojnë pak veten dhe të kërkojnë resurse dhe emra edhe jashtë partisë, port ë cilët japin garanci me përgatitjet e tyre dhe me autoritetin që e gëzojnë në mjedisin që jetojnë, sepse ashtu komunat do të zhvillohen më mirë dhe rrjedhimisht do të përmirësohet standardi jetesës nëpër ato komuna”- tha analisti Ismet Ramadani.
Sipas tij, emra të rinj, të përgatitur dhe me vizion janë zgjedhja e duhur për t’i zhvilluar komunat, për të krijuar një jetë të denjë për qytetarët, për të ndërtuar një standard jete më të mirë. Ai shton se komunat do të duhet të udhëhiqen përfundimisht nga figura të cilat do të duhet të garojnë me projekte konkrete për zgjidhjen e më shumë problemeve me të cilat përballen qytetarët,
“Mendoj se në shumë pak komuna mund të jenë kandidat të pranueshëm nga qytetarët ata të cilët kanë qenë deri më tani dhe mendoj se partitë politike është mirë të kandidojnë emra të rinj, të cilët gëzojnë autoritet në mesin në të cilin ata jetojnë dhe veprojnë. Do të ishte ndoshta më mirë të shkohet me kandidat për kryetar komunë të cilët dinë të menaxhojnë duke I kapur edhe trendët moderne evropiane për shkak të shfrytëzimit të fondeve dhe grandeve të cilat do të jenë pra gjithnjë më të shumta për Maqedonisë, e sidomos për zhvillim të infrastrukturës nëpër komuna. Andaj, është koha që komunat me shumicë shqiptare të menaxhohen me njerëz të cilët dinë të komunikojnë edhe me institucionet e vendit, por edhe me ato evropiane, për të bërë pak më shumë për nevojat e qytetarëve apo për një jetë më të mirë qytetare”- theksoi Ramadani.
Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, gjatë kësaj jave tha se nëse gjërat rrjedhin sipas dinamikës së paraparë, ai deri në 6 tetor do të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale për tu realizuar ato më 15 tetor. Vetëm pak ditë më parë zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, prezantoi masat(11) të cilët do të ndërmerren për realizim të denjë të zgjedhjeve lokale, të cilat duhet të jetë të drejta, demokratike dhe të lira. Mbajtja e zgjedhjeve të tilla është edhe një nga pikat kryesore të planit 3-6-9 të Qeverisë. Qeveria e Maqedonisë është zotuar se do të parandalojë shfrytëzimin e resurseve shtetërore në fushatën zgjedhore, si dhe do të angazhohet të parandalojë çfarëdo lloj presioni që mund tu bëhet të punësuarve në administratë.
Evi Shkopi
Almakos.com