Musliu është optimist se LSDM-ja nuk do ta keqpërdorë besimin e plotë të qytetarëve dhe se i njëjti do të jetë vetëm nxitje shtesë që ata të plotësojnë gjithçka që kanë premtuar deri më tani
Elena Boshkovska – Kërstevska
LSDM-ja në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale është në epërsi enorme para partive të tjera politike. Me këtë, përveç përparësisë që e gëzojnë në nivelin qendror, socialdemokratët u ngjitën lartë në piedestal edhe me qeverisjen në nivel lokal. Por, sipas njohësve të çështjeve politike kjo ka edhe kahet e saja pozitive dhe negative.
“Kjo mund të interpretohet nga dy aspekte. Shumica e LSDM-së edhe në pushtetin qendror edhe në atë lokal, mund të çojë deri te nxitja për zbatimin e reformave të premtuara dhe ta drejtojë Maqedoninë ndaj rrugës së drejtë. Opsioni i dytë është pikërisht për shkak të fuqisë që e kanë, të devijojnë dhe t’i keqpërdorin të gjitha pozitat. Nëse e zgjedhin rrugën e gabuar, do të ballafaqohen me pasojat dhe me dënimin e njëjtë nga qytetarët, njësoj si edhe paraardhësit e tyre. Atë që tash duhet ta bëjë opozita është të konsolidohet, me qëllim që të jetë korrigjues i mirë i pushtetit”, thotë për POST.mk, analisti Albert Musliu.
Musliu është optimist se LSDM-ja nuk do ta keqpërdorë besimin e plotë të qytetarëve dhe se i njëjti do të jetë vetëm nxitje shtesë që ata të plotësojnë gjithçka që kanë premtuar deri më tani.
Edhe analisti Jove Kekenkovski është i mendimit të njëjtë. Ai thotë se deri tash paraardhësit e LSDM-së i kanë shkaktuar Maqedonisë eksperiencë negative, por megjithatë, nuk do të ketë asnjë problem, nëse partia e cila ka pushtet absolut, “funksionon në mënyrë të drejtë, pa trysni dhe përzierje”.
“Pushteti absolut do të thotë edhe përgjegjësi absolute. Pamë se si silleshin deri më tani ata që e kishin pushtetin absolut, patëm përvojë negative. Nuk funksiononte gjyqësori, ndërsa policia ishte vënë në funksion të klikës partiake. Nuk ka asgjë të keqe nëse keni pushtet absolut i cili do të funksionojë në mënyrë të drejtë, të mos ketë media të korruptuara dhe të ketë gjyqësor të paanshëm. Por, vetëm në këtë rast. Ajo që është më e rëndësishme është të mos ketë majorizim në çfarëdo nivel. Do të jetë e frikshme nëse edhe LSDM-ja sillet ashtu siç silleshin paraardhësit e saj”, vlerëson për POST.mk, analisti Jove Kekenovski.
Sipas mendimit të analistëve, nëse funksionon sundimi i ligjit dhe pavarësia e institucioneve, vetëm atëherë nuk do të jetë e rëndësishme se cila parti është në pushtet, por do t’i shohim përfitimet që i marrim nga ato.