Njëri ndër aktivistët qytetar, dhe zëri kritik i pushtetit, Bekim Berisha në rrjetin social facebook ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Sipas tij është e pakuptimtë kërkesa e ish kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjedhje të reja. Madje sipas tij tani është momenti kur partitë politike shqiptare duhet të tejkalojnë vetveten, kështu duke analizuar situatën dhe të shqyrtojnë mundësinë e koalicionimit me LSDM-në, shkruan Almakos. Në vazhdim mund ti shihni edhe kombinatorikat për krijimin e një shumice parlamentare, të cilat i parashesh Bekim Berisha:
“Zgjedhje të parakohshme do të kërkonte vetëm ai shqiptarë i cili:
1- është në shërbim të grujevskit ose
2- është NAIV!!
Kjo mundësia e dytë i hiqet një personi i cili ka qenë edhe ministër edhe deputet e qka jo tjetër!
Tash më gjithqka është e thjeshtë (vetëm nëse vet duam ta ndërlikojmë)! Le të takohen të gjithë Kryetarët e partive politike me përjashtim të VMRO-së dhe le të krijojnë një shumicë parlamentare! Kanë disa mundësi:
• 49+10+5+3+2=69
• 49+10+5+3=67
• 49+10+5=64
• 49+10+3=62
• 49+10+2=61
dhe disa mundësi tjera ku bëhen kombinime me ose pa PDSH-në, por duke mos dashur të zgjatem më tepër, këto janë opcionet më të thjeshta!!
JO ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME!! KRIJONI SHUMICË PARLAMENTARE URGJENTISHT!!!”,ka shkruar Bekim Berisha.
Poashtu nuk kanë të ndalur edhe komentet e opinionistëve maqedonas në përkrahje të partisë opozitare maqedonase, LSDM-së, se pikërisht kjo parti duhet të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Në mesin e tyre është edhe gazetari i njohur, Branko Geroski i cili në në rrjetin social facebook ka shkruar se për shqiptarët e Maqedonisë më i mirë është koalicionimi me LSDM-në sesa me VMRO-DPMNE-në. Ndërkohë, Geroski zbuloi se janë duke u zhvilluar bisedime intensive midis partive shqiptare dhe LSDM-së për formimin e qeverisë së re.
“Deri tek të gjithë që e këshillojnë Zoran Zaevin që të mos e pres mandatin dhe menjëherë të nise me bisedimet me partitë shqiptare:
E para, LSDM ka kryesi, me të drejta legjitime vendos kur, me kë dhe për çka të bisedoje. Ajo kryesi është përgjegjëse para kongresit dhe nuk obligohet që të bisedoje në televizion ose në Facebook.
E dyta, ata trika shitni në Bit Pazar. Dhe nuk jam i sigurt se edhe atje mund t`i shisni. Drejtuesit e BDI-së ende nuk kanë bërë publike se i kanë përfunduar bisedimet me DPMNE dhe i mbajnë të hapura të gjitha opsionet. Është jo korrekte që Ahmeti ta anketoje Zaevin për t`i forcuar pozicionet e tij në bisedime me Gruevskin. Është korrekte që BDI-ja ta përfundoje bisedën me DPMNE që të ketë mundësi të nis seriozisht bisedimet me partnerin tjetër potencial.
E treta, unë jam i sigurt se tashmë janë duke u bërë bisedime edhe më intensive midis LSDM-së dhe partive shqiptare për çështje të rëndësishme politike. Ashtu si jam i sigurt se LSDM me gjithë bagazhin e saj nga e kaluara është një partner më i mirë i shqiptarëve në Maqedoni nga partia shoviniste VMRO-DPMNE.
Përfundimisht duhet që Gjorgje Ivanovit t`i jepet shansi për ta respektuar Kushtetutën dhe mandatin t`i jap Zaevit. Ose do ta bëjë këtë gjë ose do ta shkel Kushtetutën dhe do të tentoje që të prodhoje puç në vend”, shkroi Branko Geroski në llogarinë e tij në Facebook.
Për profesoreshën universitare, dhe njëherit eksperte juridike, Mirjana Najçevska, pas tentimit të pasuksesshëm të mandatarit Nikolla Gruevski, liderit të VMRO-DPMNE, për formim të qeverisë së re në afatin ligjor prej 20 ditë pas pranimit të mandatit, në Maqedoni nuk ka krizë politike. Sipas saj, ekziston procedurë demokratike e cila e mundëson vazhdimin e procesit të formimit të Qeverisë. Ajo është e vendosur, se sipas Kushtetutës, Presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov, në këtë situatë ia dorëzon partisë së radhës me më tepër deputetë, në rastin konkret, LSDM.
“Aspak nuk mendoj që për momentin ka krizë politike, ka mënyrë demokratike, procedura me baza mbi të cilat shkohet më tej. Kur një parti ose koalicion partiak nuk mund të sigurojë shumicë përkatëse parlamentare për formim të Qeverisë, kalohet në tjetrën, nga e cila pritet që mund ta formojë atë shumicë parlamentare. Hapi logjik është t’i jepet mandati partisë më të madhe të radhës, dhe ajo të tentojë të formojë shumicën. Nëse edhe ai opsion politik nuk mund të formojë, atëherë mund të mendohet në drejtim të zgjedhjeve të reja, ose për formimin e qeverisë teknike ose teknokrate”, vlerëson profesoresha Najçeska./ Almakos