U premtua nga Qeveria Ahmeti-Gruevski, objekti i universitetit “Nënë Tereza”, sot premtohet edhe nga Qeveria Zaev-Ahmeti. Por, njohësit e rrethanave këtë fakt e vlerësojnë si politizim të skajshëm të arsimit dhe tallje me emrin e shenjtores shqiptare Nënë Tereza, raporton Almakos.
Gazetari, Isen Saliu, ka përshtypje se më lehtë “Nënë Tereza” do të shpallet shenjtore për herë të dytë, se sa të ndërtohet godina e Universitetit “Nënë Tereza” , në Shkup.
“Fati i arsimit shqiptar në Maqedoni edhe më tutje do të jetë i njëjtë. Gjithmonë probleme me ndryshimin e emrave të shkollave, probleme me tekstet shkollore, me godinat universitare. Prandaj nxënësi dhe studenti shqiptar duhet të shpallen heronj të kohës sonë, duke pasur parasysh maltretimin që ua bën politika”, tha Saliu për Almakos.
Profesori, Sulejman Mehazi thotë se sot, çdo vend flet për politikë sipas tij, edhe koha është politizuar dhe jo vetëm universiteti “Nënë Tereza”.
“Ky institucion i lartë arsimor ka të bëjë vetëm me një grup intelektualësh të politizuar nën ombrellën e BDI-së, shumë më mirë do ishte që të quhej Universiteti i Intelektualëve të BDI-së sesa ta përlyejnë emrin e shenjtores së Nena Terezës”, tha Mehazi për Almakos.
Ai tshton se Universitetet e këtilla janë të llojeve të bizneseve arsimore-shkencore, pa lloje kriteresh.
Sipas Shpëtim Pollozhanit, edhe e shenjta “Nëna Terezë” u shndërrua në mall politik sikurse populli, liria, barazia dhe mirëqenia.
“Derisa nuk e shohim një projekt, mjete materiale, dinamike me ritëm për realizimin e atij projekti, çdo gjë ngel në kuadër të ëndrrave me shumë dëshira” deklaroi për Almakos Pollozhani.
Ai shtoi se Zaev duhet të bëjë shumë për shqiptarët që ti besojnë shkaku i ndërhyrjes në vendosjen e vullnetit të mirë të shqiptarëve në zgjedhjet e fundit lokale.
Për këtë çështje aso kohe ishte deklaruar edhe ish ministri i arsimit Abdilaqim Ademi i cili kishte thënë se ky Universitet do të fillojë me punë në objektin e ri në shtator të 2016, por një gjë e tillë nuk u realizua. Ndërkohë për ndërtimin e objektit foli edhe ish ministri tjetër i arsimit nga radhët e BDI-së Pishtar Lutfiu, i cili premtoi se ndërtimi i objektit do të fillojë më 2017 dhe do të zgjasë të paktën dy vjet,
Pavarësisht premtimeve të shumta për ndërtimin e objektit për universitetin “Nënë Tereza” në terren nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Më e rëndësishmja është se gjatë ditës së sotme Qeveria e re në krye me kryeministrin Zaev ka bërë ndarjen e buxhetit për ndërtimin e objektit të këtij universiteti.
Mevludin Imeri
Almakos.com