Analistët: Nëse BDI nuk i publikon marrëveshjet e fshehta Ahmeti-Gruevski, rrezikon humbje më të madhe se më 11 dhjetor
Nëse BDI nuk i publikon para opinionit shqiptar marrëveshjet që kishte me VMRO-DPMNE-në deri sa ishin partnerë qeveritar në periudhën 2008-2017, rrezikon të pësojë edhe një fiasko zgjedhore më të rëndë se ajo e 11 dhjetorit, vlerësojnë analistët shqiptarë në Maqedoni.
Opinioni shqiptar gjithnjë e më tepër po bën presion ndaj partisë së Ali Ahmetit, që të tregojë se cila është marrëveshje e tyre për zgjedhjen e Gruevskit kryeminister, shkruan Almakos.
Mirëpo BDI edhe më tej po i mban të fshehta ato marrëveshje dhe në mënyrë nënçmuese po mundohet ta manipulojë opinionin, duke akuzuar parti tjera politike. Analistët janë të bindur se kjo strategji manipuluese BDI-së do t’i sjell vetëm dëm, e jo dobi.
“Mendoj se bëhet fjalë për strategji ‘Po të them, sa nuk më ke thënë’. Dihet botërisht se BDI është sinonim i partisë e cila funksionon në bazë të marrëveshjeve të fshehta me partitë maqedonase, prandaj ka nevojë të akuzojë partitë tjera për të bëmat e veta. Vetë përfaqësuesit e BDI-së kanë thënë se kanë marrëveshje të shkruara për bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në edhe në vitin 2008, edhe në vitin 2011 edhe në vitin 2014. Ku janë ato marrëveshje? Kush i ka nënshkruar? Pse ato marrëveshje nuk shpallen para opinionit, po mbahen të fshehta? Nëse është parti serioze, BDI duhet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe t’i publikojë para opinionit. Opinioni duhet të din nëse ato marrëveshje janë bë në interes të votuesve, apo në interes të një partie politike”, thotë analisti Isen Saliu.
Analisti Mevludin Zyberi thotë se përveç marrëveshjeve për bashkëqeverisje me VMRO-DPNE-në në nivel qendror, BDI duhet të japë llogari edhe për marrëveshjet që ka bërë me partinë e Gruevskit për bashkëqeverisje në nivel lokal.
“Nuk mjafton të publikohen vetëm marrëveshjet e bëra në nivel qendror. Duhet të publikohen edhe marrëveshjet që kishte BDI me VMRO-në në nivel lokal në qytetin e Shkupit, në Kumanovë ku Fatmir Besimi ka lobuar për VMRO-DPMNE-në. Votuesit shqiptar duhet ta dinë a është pajtuar BDI me anashkalimin e pjesës shqiptare të Shkupit. BDI duhet ta publikojë edhe marrëveshjen për përkrahjen e Gjorgji Ivanovit si kandidat presidencial në vitin 2014. Patjetër duhet të zbulohet përmbajtja e kësaj marrëveshje për përkrahjen e një kandidati që u dëshmua për politika jokorrekte ndaj shqiptarëve”, thoit Zyberi.
Analistët shqiptarë pajtohen se për BDI-në është më mirë t’i publikojë marrëveshjet e dëmshme që ka bërë me VMRO-DPMNE-në dhe të kërkojë falje para shqiptarëve, se të akuzojë parti tjera pa argumente.
Mirëpo BDI jo vetëm që nuk i publikon marrëveshjet që bën me partitë maqedonase, por sapo kalojnë zgjedhjet fshinë nga ueb faqja e saj edhe platformat e veta zgjedhore, me qëllim që qytetarët të mos mund të kërkojnë llogari për premtimet që nuk i realizojnë asnjëherë./ Almakos.com

