Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov, nuk ka vepruar sipas Kushtetutës kur ia dorëzoi mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevskit. Kështu deklaroi i ftuari i mbrëmshëm në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA, eksperti juridik Osman Kadriu. Ai tha se roli i presidentit është që të përcaktoj personin gjegjësisht përfaqësuesin e partisë, i cili ka shumicë parlamentare e jo personin partia e të cilit ka fituar më shumë mandate në zgjedhje.
“Në rrethin e parë të aktivitetit rreth zgjedhjes ai u përcaktua për kryetarin e VMRO DPMNE-së, por me një theks të veçantë kur u përcaktua për zotëri Gruevskin ai nuk ishte përfaqësues i partisë e cila kishte shumicë parlamentare, dhe nën dy, nuk ishte po ashtu përfaqësues i koalicionit që kishte shumicë parlamentare. Kushtetuta nuk flet për fituesit, Kushtetuta flet për shumicë parlamentare”, ka deklaruar Osman Kadriu, ekspert juridik.
Pasi kreu i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk arriti që të formojë koalicion qeveritar, Kadriu vlerëson se sipas traditës parlamentare mandati duhet t’i jepet partisë së dytë e cila ka fituar më shumë mandate, në këtë rast LSDM-së. Kadriu shtoi se nuk është në frymë të Kushtetutës që presidenti edhe një herë t’ia dorëzoj mandatin të njëjtës parti, sikur që flitej për Nikolla Poposkin e VMRO DPMNE-së.
Nga ana tjetër, opinionisti Todorov Pendarov tha se Kushtetuta edhe sot nuk po respektohet sikur në vitin 1991 kur në mënyrë kushtetuese pushteti i atëhershëm ua shkurtoi të drejtat shqiptarëve, ndërsa për këtë fenomen presidenti Ivanov heshti.
“Me kushtetutën e ’91 ua shkurtuam të drejtat bashkëqytetarëve tanë shqiptarë që ata i kishin me kushtetutën e ’74. Tani sërish kemi lojë me Kushtetutën dhe paramendoni ekspertë kushtetues thonë se mandatin nuk guxon ta fitojë partia e dytë e cila ka vetëm dy deputetë më pak, kurse ky person që në sajë të votave tona rri në rezidencën presidenciale në Vodno tash hesht dhe thotë se do të konsultohet me institucionet, përkatësisht me Gjykatën kushtetuese”, tha Todor Pendarov, analist politik.
Sipas tij, ofertat e ndërsjella mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së të cilat nuk u bënë publike për opinionin, janë kulturë politike folkloristike ballkanike. Ai tha se është qesharake që Ali Ahmeti, 20 ditë analizoi se çfarë vendimi do të marrë, për të cilën sipas Pendarovit nuk ka nevojë për më shumë se 3 ditë.