Presidenti Ivanov, tërë procesin e dhënies së mandatit e ka filluar mbrapsht. Takimin me partitë politike presidenti duhej ta bën para se të jep mandatin Nikolla Gruevski. Kështu ka deklaruar gazetari Naim Sinani në emisionin “Arena”, ndërsa ka shtuar se Ivanov pas gabimit paraprak që ka bërë duke dorëzuar mandatin Gruevskit, do të duhej që me automatizëm t’ia dorëzoj mandatin LSDM-së.
“A është në rregull ky kthimi i Presidentit? Është për pikëpyetje, për shkak të faktit se nëse ai e filloi ashtu si e filloi, duhej ta vazhdojë mënyrën e funksionimit të tij sepse nëse herën e parë nuk iu deshën konsultime, atëherë pse të konsultohet herën e dytë, që donë të thotë se ai duheshte kësaj radhe t’i jep mandatin dikujt tjetër, që në këtë rast i bie partisë së dytë që doli sipas rezultateve të zgjedhjeve”, ka deklaruar gazetari Naim Sinani.
Nga ana tjetër, sipas gazetarit Xhenis Sulimani, presidenti, Gjorgje Ivanov, në asnjë moment nuk e ka dëshmuar se është president i të gjithë qytetarëve, por si çdo herë ashtu edhe tani me dorëzimin e mandatit kreut të VMRO DPMNE-së, sipas Sulimanit, Ivanov e ka dëshmuar se është një marionetë e Nikolla Gruevskit.
“Me aktin e fundit u shkel Kushtetuta ku një nen kushtetues i cili është shumë i thjeshtë për t’u zbatuar, ai (Presidenti) e bën më të komplikuar dhe të pazbatueshëm me mënyrën e vet se si i qaset dhe si e interpreton në praktikë atë. Kushtetuta është shumë e qartë ku thotë se mandatin e merr ai që e ka shumicën parlamentare”, ka deklaruar gazetari Xhenis Sulimani.
Sipas tij, Ivanov ia ka dorëzuar mandatin Gruevskit pasi VMRO DPMNE-ja është partia e cila e bëri atë President. Sulimani vlerëson se në çdo shtet normal, akti i tillë i Presidentit nuk do të kalonte pa u dënuar.
Enis Murtezi /SHENJA/