
Duke komentuar deklaratën e djeshme të Presidentit, Gjorgje Ivanov, pas takimit me liderët e partive politike, gazetari Naim Sinani në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA, tha se Ivanov gjithë këtë proces e ka filluar mbrapsht pasi sipas tij, këtë duhej ta bënte para se të ia dorëzonte mandatin kreut të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Sinani gjithashtu vlerëson se Ivanov nuk duheshte të inicojë takim me liderët e partive politike pas gabimit paraprak që bëri duke ia dorëzuar mandatin Gruevskit, por mandatin me automatizëm duhej të ia dorëzontë LSDM-së.
“A është në rregull ky kthimi i Presidentit? Është për pikëpyetje, për shkak të faktit se nëse ai e filloi ashtu si e filloi, duheshte ta vazhdon mënyrën e funksionimit të tij sepse nëse herën e parë nuk iu deshën konsultime, atëherë pse të konsultohet herën e dytë, që don të thotë se ai duheshte kësaj radhe t’i jep mandatin dikujt tjetër, që në këtë rast i bie partisë së dytë që doli sipas rezultateve të zgjedhjeve”, deklaroi Sinani.
Nga ana tjetër, sipas gazetarit Xhenis Sulimani, presidenti, Gjorgje Ivanov, në asnjë moment nuk e ka dëshmuar se është President i të gjithë qytetarëve, por si çdo herë ashtu edhe tani me dorëzimin e mandatit kreut të VMRO DPMNE-së, sipas Sulimanit, Ivanov e ka dëshmuar se është një marionetë e Nikolla Gruevskit.
“Me aktin e fundit u shkel Kushtetuta ku një nen kushtetues i cili është shumë i thjeshtë për t’u zbatuar, ai (Presidenti) e bën më të komplikuar dhe të pazbatueshëm me mënyrën e vet se si i qaset dhe si e interpreton në praktikë atë. Kushtetuta është shumë e qartë ku thotë se mandatin e merr ai që e ka shumicën parlamentare”, tha Sulimani.
Sipas tij, Ivanov ia ka dorëzuar mandatin Gruevskit pasi VMRO DPMNE-ja është partia e cila e bëri atë President. Sulimani vlerëson se në çdo shtet normal, akti i tillë i Presidentit nuk do të kalonte pa u dënuar. /SHENJA/