Largimi i Britanisë nga BE-ja si dhe dështimi i referendumit në Itali pas të cilit edhe dha dorëheqje kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, janë befasitë e pakëndshme që i janë bërë BE-së. Referendumi që dështoi ishte më shumë se një votë për reformën kushtetuese, ai ishte një shans për të refuzuar politikat e establishmentit. Dështimi i referendumit shihet si një goditje për BE-në, edhe pse Italia nuk do ta ndjek rrugën e Britanisë, pasi lëvizjet opozitare në Itali nuk janë për dalje nga BE, por nga Eurozona.
Por, njohësit e rrethanave politike në Maqedoni vlerësojnë se pavarësisht rënieve dhe ngritjeve nëpër të cilat kalon Europa nuk është në krizë, pasi ajo ka vlerat të saj të pandryshueshme, thelbësore dhe principiele, të cilat janë pjesë e çdo ambienti demokratik. Profesori universitar Nano Ruzhin, tha se Europa duhet të jetë edhe më tej qëllim i Maqedonisë. Ai shpreson se pas zgjedhjeve në vend do të ketë ndryshime në shtet dhe Maqedoni me më shumë ambicie do të hapërojë drejt Bashkimit Europian.
“Vlerësoj se Europa nuk është në krizë, pavarësisht asaj që ka ndodhur me Brexit, me tërheqjen e Britanisë së Madhe, por përkundrazi Europa po bëhet më konsistente, fakt është që në segmente të caktuara, rënie e fshehtë edhe nga e djathta edhe e majta, por megjithatë skeleti, kushtetuta themelore e Europës ngelet, dhe ajo është më e rëndësishmja për ne. Respektivisht Europa është ardhmëria për të gjitha popujt, të cilat kanë vendosur të jetojnë në mënyrë të përbashkët në korniza të saj.”, ka deklaruar Nano Ruzhin, profesor universitar.
Profesori universitar Mersel Bilalli, tha se mbajtja e referendumit nuk ka të bëjë me proceset dezintegruese në BE, por me shtimin e ingerencave të Qeverisë përballë parlamentit. Ai vlerëson se forca kryesore që e bashkon BE-në është tregu i përbashkët dhe çdokush që lëshon atë treg rrezikon ekonominë.
“Mendoj se Unioni Evropian pra nuk është konstrukt i vullneteve ose idealeve të dikujt, shpesh jashtë realitetit, i bazuar në njëfarë utopie. Unioni Evropian është bashkim i tregut, ajo fuqia kryesore është tregu i përbashkët dhe çdokush që lëshon një treg të përbashkët të ndërtuar dekada me radhë rrezikon ekonominë, aq më shumë, kemi situatën e Britanisë së Madhe ku vetëm që është mbajtur një referendum, edhe pse ajo vazhdon të jetë pjesë e BE-së, kemi rënie drastike të vlerës së funtës”, ka thënë Mersel Bilalli, profesor universitar.
Kujtojmë se ditë më parë ka dështuar referendumi i kryeministrit Italian Matteo Renzi, i cili kishte për qëllim reformën e Kushtetutës. Referendumi është cilësuar si barometër i ndjenjave anti-establishment në Evropë. Nga ana tjetër, Lëvizja populiste “Pesë yjet”, është e gatshme të drejtojë Italinë.