11.05.2017
Maqedonia vazhdon maratonën e saj për të arritur dritën në fund të tunelit. Nga njëra korsi janë pretendentët për formimin e një qeverie të qëndrueshme. E nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e cila ka shprehur haptazi qëndrimet e saj kundër formimit të kësaj qeverie, duke kërkuar sërish zgjedhje.
Kjo mos gjetje e gjuhës së përbashkët tashmë gjatë kohë e futi Maqedoninë në një labirint politik, apo edhe ta krijon përshtypjen se ajo ende nuk e ka gjetur hyrjen e tunelit, e lë më daljen tij. Kështu që vendi ishte dhe mbeti pre e skenarëve të shumtë destabilizues shkruan Almakos.
Megjithatë, edhe përkundër përpjekjeve të shumta, qoftë nga politika në vend apo ndërkombëtarët, ende nuk janë vendosur pikat mbi “I”.
Analisti Alajdin Demiri për Almakos.com, thotë se vendi vazhdon të jetë i rrezikuar nga skenarët e VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, ekzistojnë dy letra me të cilat mund të luaj kjo parti për të penguar formimin e qeverisë.
Së pari, sipas Demirit, VMRO-DPMNE’ja mund të mos e njoh qeverinë për formimin e së cilës pritet dhënia e mandatit nga presidenti Gjorgje Ivanov. Gjë që do të sillte ekzistimin e dy qeverive në të njëjtën kohë, dhe asnjëra me kompetenca të plota.
Së dyti, thotë Demiri, shfrytëzimi i popullit, apo të përsëritet ajo që ndodhi më 27 prill, por këtë herë në përmasa më të mëdha.
Këto rrjedhime të ngjarjeve, shton Alajdin Demiri, duhen evituar pasi që Maqedonia tashmë ka problem me bollëk dhe nuk i duhen të tjera. Qeveria duhet formuar, përmbyll ai.
Të njëjtin mendim ka edhe diplomati, Muhamet Halili. Ky I fundit, për Almakos.com, thotë se dhuna nuk është zgjidhje, dhe se qeveria duhet formuar. Ai shton se dhënia e mandatit nuk duhet parë si pengesë, pasi që mandatin e jep populli dhe jo Presidenti, shton Halili për Almakos.
Për formimin e qeverisë pritet mandati, e këtë të fundit duhet ta japë presidenti i vendit pas 9 ditësh. Ky i fundit ka kërkuar nga LSDM-ja që të garantohet ruajtja e karakterit unitar të shtetit. E nga LSDM-ja thonë se nuk ekziston asnjë pengesë për dhënien e mandatit.
Si do që të jetë, shumë çështje kanë mbetur pezull, kështu që Maqedonia vazhdon t’i ngjajë anijes së mbetur në cekëtinë dhe e cila nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë fundoset.
Almakos.com