Sipas njohësve të rrethanave politike, edhe pse BDI dhe PDSH sollën një tërmet në skenën politike shqiptare, duke i detyruar mijëra votues shqiptarë të arratisen në kampin politik maqedonas, shqiptarët nuk duhet të lejojnë që të jenë monedha për të paguar kusurin mes partive politike maqedonase.
Për kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Shqiptarë (SHBSH), Shpëtim Pollozhani, ky dimension regresiv me të cilin karakterizoheshin zgjedhjet e fundit është si pasojë e qeverisjes së gabuar të partive të vjetra parlamentare shqiptare, BDI dhe PDSH. Pollozhani tha se nuk është normale që mijëra vota shqiptare të shkojnë për kampin politik maqedonas, derisa nga ana tjetër as edhe një votë e vetme e një maqedonasi, qoftë edhe gabimisht, nuk është hedhur në kutitë e partive shqiptare.
“Po në rast se ka ndonjë marrëveshje të themi ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-së, që duke qenë VMRO-ja agresive, shqiptarët të tërhiqen dhe t’i minimizojnë kërkesat. Kjo tregohet edhe me faktin se ka mundësi, është hipotetike, por pse jo, ata këshillohen nga të njejtat institucione… Shqiptarët nuk duhet t’i reduktojnë kërkesat, por ti shtojnë. Në rast se nuk bëhet Qeveria, le të mos bëhet. Mos vallë shqiptarët gjithnjë duhet ta mbrojnë Maqedoninë prej vetë maqedonasve”, deklaroi Pollozhani.
Ndërkaq analisti politik, Milaim Fejziu e cilëson këtë si një veprim avanturier të shqiptarëve, megjithatë për të mbetet e paqartë se në cilën platformë apo program e kanë gjetur veten shqiptarët, për të bërë një veprim të tillë.
“Do të thoja që kjo që ndodhi që një numër i madh i votave shqiptare shkuan në subjekt politik maqedonas, kjo ma shumë ua kujton kujton nostalgjikëve të mëhershëm, se shqiptarët mund t’ua japin votën maqedonasve. Kjo që ndodhi për mu ka qenë një avanturë dhe një veprim avanturist i shqiptarëve, sepse të japish votën dikujt do të thotë ta gjesh veten në atë program apo në atë platformë. Unë nuk e di ku e gjetën veten shqiptarët që I dhanë LSDM-së”, tha Fejziu.
Analistët vlerësojnë se shqiptarët nuk duhet të ndjehen si jetimë, apo si votues që nuk kanë përfaqësues, pasi sipas tyre, tanimë në skenën politike janë edhe dy parti të reja parlamentare shqiptare, të cilat kanë sjellur progres në këto zgjedhje. Sipas tyre, Lëvizja BESA dhe LR PDSH, kanë pasur dhe kanë akoma një ndikim në realizimin e të drejtave dhe kërkesave të shqiptarëve.
“Shqiptarët kanë qenë të pakënaqur nga partitë politike shqiptare, përkatësisht nga partia në pushtet, nga BDI-ja, dyta mllefi që u krijua brenda ketyre 10-12 vjetëve, ai erdhi në shprehje pikërisht në këto zgjedhje, ky mllef megjithatë nuk duhej të shprehej në këtë mënyrë, sepse shqiptarët kishin edhe dy tre parti tjera shqiptare, që do të mundeshin tua japin votën, nëse ai mllef ka qenë I shprehur ndaj BDI-së”, tha më tej Fejziu.
“Progres në skenën politike në Maqedoni, sollën partitë e reja politike sikurse që janë BESA dhe LR-PDSH”, u shpreh Pollozhani.
Sipas analistëve kjo situatë e manifestuar në këto zgjedhje, mund të karakterizohet edhe me vetëdije të ulët kombëtare, pasi sipas tyre, vetëm në një situatë të tillë do mund të bëheshin këso eksperimentesh.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Analistët: LSDM dhe VMRO shqiptarët i kanë… by tvshenjaofficial