Analistët shohin thellim të mëtejmë të krizës në një kohë kur partitë kanë qëndrime gjithnjë e më të kundërta, nuk dihet fati i Prokurorisë Speciale nuk nuk dihet se kush do ta formojë Qeverinë e re. Analistët Mersel Bilalli dhe Mirjana Najçevska vlerësojnë se vetë fakti që Gruevski ka marrë përsipër formimin e Qeverisë, i rrethuar nga një grup njerëzish të akuzuar për krime, është vet kriza.
“Vetë fakti që Gruevski me njerëzit e dyshuar dhe akuzuar për krime ka marrë mandatin për formimin e Qeverisë është krizë në vete. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është thellim I krizës më vete. Gjithë kjo amulli se a do të formojë ose jo Gruevski qeveri është shumë kontroverse”, ka deklaruar Mirjana Najçevska, profesoreshë universitare.
Mersel Bilalli është optimist që Qeverinë nuk do ta bëjë Gruevski pasi partitë shqiptare nuk do ta lejojnë. Sipas Bilallit, situata e tanishme është tejet kritike dhe prandaj nuk ka kohë për të humbur.
“Unë mendoj se nëse pjesa shqiptare e luan mirë rolin nuk mund të kemi krizë politike, sepse mandatin do ta marrë ,pra, pjesa e dytë apo fituesi i dytë dhe me pjesën shqiptare mund të bëhet njëfarë Qeverie stabile e cila nuk është e thënë të zgjasë shumë, por mjaftueshëm që vendin ta çet në drejtim të duhur. Kjo është shumë kritike, me pasoja të rrezikshme, jo rastësisht e kishim edhe raportin e Grupit të krizës ndërkombëtare, i cili Maqedoninë e potencon si vend neuroadik për shpërthim të konfliktit”, deklaroi Mersel Bilalli, profesor Universitar .
Mirjana Najçevska beson se partitë shqiptare assesi nuk do ta amnistojnë Gruevskin pasi ai ka bërë fushatë me nacionalizëm dhe ofendime ndaj shqiptarëve dhe nuk do të bëjnë koalicion me të.
“Nëse shkohet me disa parametra racionale, partitë shqiptare në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjnë koalicion me VMRO DPMNE-në. Pas gjithë asaj gjuhe të urrejtjes ndaj shqiptarëve do të ishte poshtëruese për një parti shqiptare edhe vetëm ti shkojë mendja të koalicionojë me të. Koalicion mund të bëjnë vetëm ato subjekte që kanë të kaluar të përbashkët kriminale me Dpmne në”, është shprehur Mirjana Najçevska, profesoreshë universitare.
Mirjana Najçevska komentoi edhe tezat që juristë proqeveritar kanë filluar t’i nxjerrin se edhe nëse Gruevski nuk arrijë të formojë Qeveri me tentativën e parë, përsëri do t’i jepet mandati. Sipas saj, Kushtetuta e Maqedonisë është e qartë, ai që nuk arrin të formojë Qeverinë në afat prej 20 ditësh, nuk mund të marrë mandatin përsëri pasi radha i lihet partisë së dytë e cila ka më së shumti vota.