Zvarritja e miratimit të ligjit të gjuhëve, i cili parasheh zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, vjen si rezultat i mos-seriozitetit të Bashkimit Demokratik për Integrim. Analistët vlerësojnë se deputetë e BDI janë të pafuqishëm të diktojnë agjendën e qeverisë, prandaj më shumë përkujdesen për përfitimet partiake dhe klanore, se sa të angazhohen për interesat e shqiptarëve. Sipas tyre, BDI ndër vite ka manipuluar shqiptarët me kinse zyrtarizmin e gjuhës shqipe për qëllime të politikës ditore, skruan Almakos.

“Forcimi i pozicioneve të LSDM-së dhe tentativa për ta nxjerrë jashtë loje Aleancën për shqiptarët duket se do kenë pasojë edhe në fatin e ligjit për gjuhët. Procedurat parlamentare për miratimin e këtij ligji është dashur të kishin përfunduar para zgjedhjeve lokale”, thotë Dika. Sipas tij, një nga shtytësit kryesor në procedimin e ligjit në parlament ka qenë kërcënimi i Aleancës se do të braktisë qeverinë. “Mendoj se Aleanca është dashur t’i shkojë deri në fund qëndrimit të saj qoftë edhe me tërheqje apo të paktën moratorium të pjesëmarrjes së funksionarëve të saj në kabinetin e Zaevit”, sugjeron Dika.
Ai vlerëson se hipotekat e BDI-së nga bashkëqeverisja me VMRO-në, e kanë mësuar Zaevin se Ali Ahmeti nuk e shqetëson mos përmbushja e kërkesave thelbësore të shqiptarëve sepse prioritet i tij janë privilegjet e pushtetit dhe përfitimet individuale dhe të klanit të tij.
“Të kujtojmë vetëm rastin e talljes së VMRO-së me (mos)përdorimin e gjuhës shqipe në qytetin e Shkupit megjithëse këtë e lejon ligji dhe pretendimet e BDI-së se kanë formuar komision dypalësh për sqarimin e këtij problemi, të cilin VMRO-ja e injoronte dhe i cili nuk bëri asgjë”, deklaroi Dika.

“Sjellja e papërgjegjshme subjekteve shqiptare në pushtet nuk jep shpresë se projekt/ligji për gjuhët do të miratohet në Kuvend deri në fund të vitit”, thekson Murati për Almakos. Sipas tij, për zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe duhet të ndryshohet Kushtetuta.

“Është shumë i vonuar, kur dihet se ka qenë pjesë Kryesore e marrëveshjes së Ohrit dhe si i tillë është inkorporuar në Kushtetutën e RM, ndërsa ka munguar një ligj adekuat për përdorimin e saj. Është shumë e vërtetë se ASH ka qenë aktive në përpilimin e këtij propozim ligji duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë kushtetuese, për përdorim cilësor në tërë territorin e shtetit si dhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike”, thonë nga ASH, duke përkujtuar se ata janë propozuesit e ligji.
Mevludin Imeri
Almakos.com

