Përkundër mendimeve të ndryshme, gjykatësit kushtetues vendosën me shumicë votash të mos fillojnë procedurë të rishikimit të amnistisë, të miratuar nga deputetët për një pjesë të të akuzuarve për hyrjen e dhunshme në Parlament, më 27 prill. Iniciativat u ngritën nga Todor Petrov i Kongresit Botëror Maqedonas dhe avokatja Suzana Joshevska Anastasovska. Petrovi e kontestoi tërë Ligjin, Joshevska, nga ana tjetër, vetëm nenin 2, mënyrën e dhënies së amnistisë. Gjykatësi Naser Ajdari, i cili ishte raportuesi i iniciativave, tha që ato duhet të refuzohen.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund të vihet në rolin e Kuvendit, por ajo vendos, nëse Kuvendi kishte të drejtë kushtetuese për ta miratuar ligjin dhe prandaj çështjet e tilla në lidhje me të drejtën për të dhënë amnisti, janë të pabaza”, tha Naser Ajdari, gjykatës kushtetues.
“Parlamenti nuk jep amnisti për të gjitha veprat penale, që nuk janë dëshmuar. Nuk duhet të përgjithësohet, se amnistia u jepet të gjithëve, d.m.th. për veprimet që rrezikojnë shtetin”, u shpreh Osman Kadriu, gjyqtar kushtetues.
Për dallim nga ata, gjykatësi kushtetues Josifovski mbrojti qëndrimin, që ligji për amnisti është jokushtetues dhe se kryetari i Kushtetueses është kundër çdo lloj amnistie.
“Nuk mundet Kuvendi, që jep amnisti, t’i japë të drejtë Gjykatës të vendosë në mënyrë arbitrare kush do të fitojë dhe kush nuk do të fitojë amnisti, për të njëjtën ngjarje penale. Për këto arsye unë e konsideroj ligjin antikushtetues”, theksoi Jovan Josifovski, gjykata kushtetuese.
“Asnjëherë në jetën time nuk do të mbështes amnisti të tilla, që janë në dëm të shtetit. Me këtë ligj ne nuk do ti disiplinojmë autorët dhe nuk do ti përforcojmë vlerat e shtetit”, u shpreh Sali Murati, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Një muaj më parë, gjykatësit kushtetues e kundërshtuan iniciativën e ish drejtorit të BSP Mitko Çavkov. Çavkov, i cili u dënua me 18 vjet dhe nuk mori amnisti, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të prononcohet, nëse amnistia ishte antikushtetuese. Me Ligjin për amnisti, i miratuar nga Kuvendi një vit më parë, u amnistuan 15 nga 33 të pandehurit për ngjarjet e 27 prillit.



